Mbetet në Fuqi Arresti Shtëpiak për Mjeket

Gjykata e Apelit e Kosovës me anë të një komunikate ka  lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për të pandehurat Maxhide Shaqiri, Hamide Zeqirit dhe Vjollca Kosumi.

Kolegji Penal ka refuzuar si të pabazuara ankesat e prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tri mjekeve.

Shaqirit, Zeqirit e Kosumit arresti shtëpiak iu caktua më 24 mars.

http://kallxo.com/arrest-shtepiak-per-tre-mjeket-e-gjilanit/

Gjykata e Apelit vlerësoi se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejt kur të pandehurave ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, masë kjo që do të sigurojë rrjedhë normale të procedurës penale dhe parandalim të përsëritjes se veprës penale.

Sipas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan Arben Ismajli për caktimin e masave të sigurisë ndaj mjekeve, tri doktoreshat dyshohen se më 3 shkurt të këtij viti në Repartin e Gjinekologjisë së Spitalit Regjional të Gjilanit në bashkëkryerje, me mosveprim e me dashje eventuale kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme mjekësore tani të ndjerën Arbenita Spahiun.

Në kërkesën thuhet se pacientes Spahiu mjeket nuk i kanë kryer kontrollin e plotë për t’ia caktuar diagnozën e saktë, ashtu që kanë ndërhyrë kirurgjikisht duke mos iu dhënë  udhëzimet e duhura  personelit mjekësor”.

Me këtë sipas prokurorisë, dy mjeket kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

Prokuroria pretendon se pacientes Spahiu nuk iu dha ndihma mjekësore nga të dyshuarat as më 2 mars.

“Të pandehurat nuk i kanë ofruar ndihmë mjekësore tani të ndjerës, edhe pse asaj i është nevojitur ndihma për shkak të komplikimeve, ku më pastaj ka pësuar shok hemorragjik,” thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Prokuroria dyshon se tri mjeket kanë kryer edhe veprën penale mosdhënie e ndihmës mjekësore.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë rast ku të përfshira janë tri mjeke të cilat dyshohen se nuk e kanë kryer detyrat e tyre, dhe si pasojë ka ardhur deri te vdekja e 27 vjeqarës Arbenita Spahiu e cila ishte me profesion mësuese.