Pas anulimit të burgimit të përjetshëm, nis rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë

I akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Nuhi Mavrovqani ka dalë para Gjykatësit në Gjilan për t’u përballur sërish me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë.

Më 4 dhjetor të vitit të kaluar, Mavrovqani, për vrasjen e gruas së tij, ishte dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Gjykata e Apelit e kishte prishur atë vendim duke e kthyer rastin në rigjykim.

Në seancën e sotme, e cila ishte e para pasi rasti është kthyer në rigjykim, i akuzuari Mavrovqani tha se e pranon fajësinë porse vrasjen nuk e ka kryer me dashje.

“E pranoj fajësinë pasi jam fajtorë, por nuk e pranoj fajësinë ashtu si thuhet në aktakuzë pasi veprën nuk e kam kryer me dashje”, tha i akuzuari Mavrovqani.

Pranimi i tillë i fajësisë nga i akuzuari u refuzua nga trupi Gjykues, meqë sipas Kodit të Procedurës Penale nuk mund të bëhet pranim i pjesshëm i fajësisë por vetëm ashtu siç përshkruhet në aktakuzë.

Në seancë, trupi Gjykues i drejtuar nga gjykatësi Sabedin Mushica, e ndaloi publikimin e dëshmisë së dëshmitarëve pasi sipas tij do të pengohej rrjedha e procedurës penale në këtë rast.

Sipas Dosjes së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari i kishte shkaktuar bashkëshortes së tij plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje në anën e majtë të kokës.

Sipas Prokurorisë, Nuhi Mavrovqani e kishte goditur bashkëshorten me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

Për këto akuza, Mavrovqani në muajin dhjetor të vitit të kaluar ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Zyhdi Haziri.

Tani pasi rasti është kthyer në rigjykim dhe gjykatësi Haziri ka kaluar në Gjykatën e Apelit, lënda gjykohet nga gjykatësi Sabedin Mushica dhe aktakuza përfaqësohet nga Prokurori Arben Ismajli.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Pasi u anulua burgimi i përjetshëm, dështon seanca e rigjykimit për vrasjen e gruas në Kamenicë