Arkiv - Seanca ndaj Nuhi Mavroqanit, i akuzuar për vrasjen e gruas FOTO-Fitim Limani/KALLXO.com

Pasi u anulua burgimi i përjetshëm, dështon seanca e rigjykimit për vrasjen e gruas në Kamenicë

Ka dështuar të nis rigjykimi ndaj Nuhi Mavrovqanit, i cili nga Prokuroria e Gjilanit akuzohet se e ka mbytur gruan e tij me shufër metalike.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e raportit psikiatrik nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë për të akuzuarin.

“Nuk është sjellë raporti përfundimtar i ekzaminimit psikiatrik ndaj të akuzuarit, andaj nuk kemi kushte për vazhdimin e seancës gjyqësore. E lus gjykatën që të kërkojë nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë  raportin lidhur me të gjeturat nga ekzaminimi psikiatrik ndaj të akuzuarit”, tha Prokurori Arben Ismajli, të cilin nuk e kundërshtoi avokati  i të akuzuarit, Arsim Vranovci.

Sipas Dosjes së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari i kishte shkaktuar bashkëshortes së tij plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje në anën e majtë të kokës.

Tutje sipas Prokurorisë, Nuhi Mavrovqani e kishte goditur bashkëshorten e tij me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

Për këto akuza, Mavrovqani në muajin dhjetor të vitit të kaluar ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Zyhdi Haziri.

Tani pasi rasti është kthyer në rigjykim dhe gjykatësi Haziri ka kaluar në Gjykatën e Apelit lënda gjykohet nga gjykatësi Sabedin Mushica dhe aktakuza përfaqësohet nga Prokurori Arben Ismajli.

Seanca e cila nuk u mbajt sot, do të vazhdojë më 6 korrik.

Burg të përjetshëm kamenicasit që e vrau gruan e tij me shufër të hekurit