Seanca ndaj inspektorit të dyshuar për ryshfet FOTO-Fitim Limani/KALLXO.com

Inspektori i ATK-së i dyshuar për ryshfet del para gjykatësit

Bajrush Bunjaku, inspektor në ATK për rajonin e Gjilanit, ka dalur para gjykatësit në Gjilan për tu përballur me kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Bunjaku po dyshohet se e ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Kujtojmë se dje së bashku me inspektorin Bunjaku ishte arrestuar edhe drejtori i ATK-së, për rajonin e Gjilanit Alban Qerimi, por pastaj i njëjti ishte liruar në procedurë të rregullt.

Tutje në seancë, Prokurori Arben Ismajli tha se i propozon Gjykates që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit.

“Nëse i dyshuari gjendet në liri mund të ndikoj tek i dëmtuari pastaj mund të përsërit veprën penale dhe mund të ndikoj edhe tek dëshmitarët. Prokuroria konsideron se masa e paraburgimit është masa adekuate në këtë fazë të procedurës pasi po të gjindet në liri i pandehuri procedura ndaj tij do të mund të zvarritej”, tha Prokurori Ismajli.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit, avokati Rrustem Latifi e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë duke thënë se kerkesa për paraburgim është masë shumë e rëndë.

“Konsideroj se edhe me një masë më të lehtë, siç është ajo e arrestit shtëpiak do të mund të zhvillohet procedura në mënyrë të suksesshme. Lidhur me atë që tha Prokurori se i mbrojturi im do të ndikoj në të dëmtuarin dhe të pandehurin Alban Qerimi nuk ka asnjë arsye për të besuar sepse nuk do të takohet me ta në asnjë mënyrë dhe nuk do të mund ta ndryshoj deklaraten e tijë që e ka dhënë në Polici. Propozoj që masa për caktimin e paraburgimit të refuzohet dhe të shqiptohet masa e arrestit shtëpiak”, tha avokati Latifi, të cilin e mbështeti i pandehuri Bajrush Bunjaku.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Bajrush Bunjaku, më 17 mars, në një kompani nëGjilan, në cilësinë e personit zyrtar, Inspektor i ATK-së, në mënyrë të drejtëpërdrejt ka pranuar përfitim pasuror në shumën prej 2.000 euro nga i dëmtuari i cili është pronar i kompanisë.

Tutje sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit zyrtar nga ana e ATK-së, kinse janë gjetur parregullsi në biznes dhe dënimi për kompaninë do të jetë 30.000 euro. Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari fillimisht ka kërkuar shumën prej 5.000 euro por nga to ka pranuar shumën 2.000 euro për t’ia rregulluar dhe mbyllur vitin fiskal të dëmtuarit në mënyrë që kompania e njëjtë mos të dënohet në shumën prej 30.000 euro.

Gjykata pas pak pritet të vendosë se a do të caktohet paraburgimi ndaj të pandehurit apo jo.

Arrestohet drejtori i ATK-së në Gjilan