Tërhiqet njëri nga kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

Arben Ismajli, prokuror në Prokurorinë e Apelit është tërhequr nga kandidatura për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit.

KALLXO.com mëson se pas kandidaturës së Ismajlit për të parin e Prokurorisë së Shtetit, ishte kërkuar një opinion nga ana e Agjencisë kundër Korrupsionit (AKK), për të vërtetuar nëse i njëjti bie ndesh me dispozitat e përcaktuara ligjore pasi ka qenë anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Një dokument që e ka siguruar KALLXO.com shpjegon, se AKK-ja kishte potencuar se “emërimi eventual i ish anëtarëve të KPK në funksionin e Kryeprokurorit të Shtetit, pa kaluar afati prej 2 vitesh nga përfundimi i mandatit në KPK bie ndesh me dispozitat ligjore”.

Për këtë çështje, Ismajli ka njoftuar KPK-në se tërhiqet nga kandidatura pas marrjes së këtij opinioni ligjor nga AKK-ja.

Në lidhje me tërheqjen nga kandidatura, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me vet prokurorin Ismajli.

Sipas tij, opinioni ligjor i Agjencisë Kundër Korrupsionit është në kundërshtim me Ligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Gjatë ditës së sotme kam njoftuar edhe Këshillin Prokurorial për tërheqjen time nga kandidatura. Edhe në njoftimin që kam bërë në KPK kam përmendur faktin se do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar të drejtën time e cila është e garantuar me Ligjin për KPK-në”, tha Ismajli për KALLXO.com.

Ismajli ishte në mesin e gjashtë kandidatëve qe ka aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Më 12 janar të këtij viti ishte hapur konkursi për për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Afati për aplikim ka qenë për 15 ditë që nga 17 janari.

Gjashtë prokurorë e kryeprokurorë të prokurorive të ndryshme në Kosovë kanë aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezit, të cilit i skadon mandati në prill.

Sipas KPK-së, të drejtën për aplikim e kanë shfrytëzuar kandidatët: Armend Hamiti – prokuror në Prishtinë; Blerim Isufaj – Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale, Kujtim Munishi – Kryeprokuror në Prishtinë si dhe Lulzim Sulejmani e Shqipdon Fazliu të dy prokurorë në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në panel vlerësues për këtë pozitë janë  kryesuesi i KPK Jetish Maloku, anëtarët e KPK-së Ariana Shajkovci, Bedrije Syla- Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

Mandati i kryeprokurorit të shtetit është 7 vjeçar, pa mundësi riemërimi.

Lumezi pozitën e tij si kryeprokuror e kishte marrë më 21 prill të vitit 2015, pas dekretimit të tij nga ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ambasada britanike thotë se ofroi mbështetje për zgjedhjen e kryeprokurorit, por që nuk iu kthye përgjigje nga KPK