Komandanti i zjarrfikësve në Kamenicë dënohet për mbushjen e veturës private me derivate nga buxheti i shtetit

Komandanti i zjarrfikësve në Kamenicë dënohet për mbushjen e veturës private me derivate nga buxheti i shtetit

Riza Bunjaku, Komandant i shërbimit të zjarrfikësve në Kamenicë, është dënuar sot me 5 muaj burg nga gjykata në Gjilan pasi pranoi fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas kerkeses se tijë dënimi me burgim prej 5 muaj do ti zëvendësohet me dënim me gjobë në shumen prej 2.800 euro.

“Janë marrë parasysh rrethanat renduese dhe ato lehtësuese. Si rrethanë veçanërisht lehtësuese është marrë pranimi i fajësisë dhe sjellja korrekte e të akuzuarit në seancë”, tha shkurt gjykatësi Agim Ademi, duke e arsyetuar vendimin e tij.

Bunjaku akuzohet se ka keqpërdorur detyren e tij zyrtare duke mbushur veturën e tij private me derivate dhe duke i shënuar ato kinse i ka shpenzuar për veturën zyrtare.

Kujtojmë se i akuzuari Bunjaku në muajin shtator 2020, ishte dënuar nga Gjykata me 5 muaj burg, por gjykata e Apelit lënden e ka kthyer në rigjykim.

Tutje në seancen e sotme në gjykatën e Gjilanit pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Arben Ismajli, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë.

“E pranoj fajësinë për veprën penale e cila më vihet në barrë. Pranimin e fajësisë e bëj me vetëdeshirë dhe pa u ndikuar nga askush. I di edhe pasojat e pranimit të fajësisë“, tha i akuzuari Bunjaku i cili u paralajmërua për pasojat e pranimit të fajësisë nga gjykatësi Agim Ademi.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari nuk e kundërshtoj mbrojtësi i tijë, avokati Shemsedin Pira.

Kurse Prokurori Arben Ismajli gjithashtu deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

“Nuk e kundërshtoj pranimin e fajësisë nga i akuzuari pasi e njëjta ka mbështetje në provat e ofruara në aktakuzë”, tha shkurt Prokurori Ismajli.

Në fund të seancës, duke u deklaruar për dënimin, Prokurori kërkoi qe të mirren parasysh rrethanat si ato lehtësuese ashtu edhe ato rënduese, kurse i akuzuari dhe avokati i tijë kërkuan një dënim sa më të butë.

Sipas Prokurorisë, Riza Bunjaku, në qershor të vitit 2019, në Kamenicë në një pompë të derivateve, si person zyrtar në cilësinë e Komandantit të shërbimit të  zjarrfikësve duke shfrytëzuar detyren e tij zyrtare duke e mbushur automjetin e tij privat me derivate prej 58 litra, në vlerë prej 64.96 euro dhe duke i dhënë të dhënat e automjetit zyrtar.