MAShT Publikon Rezultatet e Testit të Maturës

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë publikoi sot rezultatet e Testit të Maturës i cili u zhvillua më 4 dhe 18 qershor.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Azem Guri, në një konferencë për shtyp, tha se kalueshmëria në nivel të vendit këtë vit ka arritur në 74 përqind që përbën kalueshmëri më të lartë prej 19 përqind se vitin e kaluar.

Nga rreth 33 mijë maturantë sa i janë nënshtruar këtij testi, 23,323 e kanë kaluar këtë test ndërsa 8,159 kanë mbetur për t’iu nënshtruar atij edhe një herë në afatin e gushtit.

Duke e konsideruar të suksesshëm këtë test, Azem Guri tha se testi u është anuluar 62 kandidatëve.

Ndërsa në 6 qendra testi do të përsëritet gjatë ditës së nesërme.

Maturantët që kanë ndonjë ankesë rreth rezultateve, kanë të drejtë ta bëjnë këtë brenda tri ditëve të ardhshme, tha Guri.

MAShT ka caktuar 27 gushtin dhe 3 shtatorin si data për mbajtjen e afatit të dytë të testit.

KALLXO.com edhe këtë vit, për të tretin vit rresht, e ka monitoruar këtë test.