MAShT insiston se duhet të zbatohet vendimi i tyre për studentët e Mjekësisë
Pasi që Këshilli Shtetëror i Cilësisë sot mori vendim që të mos rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë në UP, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po insiston se vendimi i saj duhet të zbatohet.
Këshilltari për media i ministrit, Valmir Gashi tha për KALLXO.com se MAShT nuk mund të komentojë vendimet e KShC, por se duhet të zbatohet vendimi i ministrit Bytyqi që të rritet numri i studentëve në dy drejtime të Fakultetit të Mjekësisë.
“Duhet ritheksuar se ministri Bytyqi ka marrë vendim për rritje të numrit të studenteve në bazë të kërkesës nga Universiteti, njësia akademike dhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe si i tillë duhet të zbatohet”, tha Gashi.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në mbledhjen e sotme ka vendosur që të mos rritet numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kështu duke e hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për këtë çështje.
Për këtë pikë votuan katër anëtarë për dhe tre kundër, ndërsa prezent ishin shtatë anëtarët nga nëntë gjithsej.