Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti - 05.08.2024 Foto: ZKM

Kurti i quan 'fushatë të egër propaganduese' reagimet lidhur me doracakët e Ministrisë së Arsimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një video-prononcimi, ka reaguar lidhur me kritikat e ditëve të fundit për doracakët e Ministrisë së Arsimit lidhur me edukimin seksual në shkolla.

Kurti diskutimet lidhur me këta doracak i quajti “propagandë të egër e tentim për krijim të kauzave të paqena” sipas tij, për t’u paraqitur si kinse “gardian të familjes.”

“Këto ditë të fundit kemi qenë cak të një fushate të egër propaganduese, diskutime e komente të shumta me përmbajtje manipuluese dhe një përpjekje të krijimit të kauzave të paqena. Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentatorë që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardian të familjes”- është shprehur Kurti.

Doracakët janë kritikuar për “përmbajtje perverse” dhe të papërshtatshme për moshën e nxënësve.

Kryeministri Kurti shtoi se doracakët nuk kanë qenë asnjeherë në kurrikulën arsimore.

“Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë. Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës. Në fund e kuptuam që po i njëjti doracak kishte filluar hartimin në vitin 2016 (kur ministër i Arsimit ishte Dr. Arsim Bajrami nga PDK), e ishte i miratuar në vitin 2020 (kur ministre e Arsimit ishte Dr. Hykmete Bajrami nga LDK), dhe në vitin 2023 është publikuar në faqen e MAShTI-t. Pra, jo në nëntorin e vitit 2024 por në gusht të vitit 2023”- shtoi tutje ai.

Kryeministri më tej deklaroi se përderisa “ata bëjnë politikë me fëmijë dhe familje, qeveria ka bërë politika për fëmijët dhe familjen.”

“Fëmijëve po u ndajmë shtesa për herë të parë që prej pasluftës. Nënave lehona gjithashtu. Kemi krijuar masën e punësimit “Qeveria për Familjet”. Kemi krijuar programet “Sporti në shkolla”, “Arti në Shkolla”, “Drejt Malit” përmes së cilave po e pasurojmë përvojën shkollore për nxënësit dhe po kujdesemi për shëndetin e tyre fizik dhe kreativitetin e tyre artistik. I kemi subvencionuar materialet shkollore për nxënës. Për herë të parë kemi bërë rishikimin dhe përmirësimin e teksteve mësimore për lëndët e Gjuhës Shqipe dhe Matematikës për klasat I-IX”.

“ Fëmijëve me nevoja të veçanta po u ofrojmë asistentë. Për fëmijët pa kujdes prindëror i kemi rritur pagesat e rregullta mujore. Me ligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, për herë të parë po e mundësojmë strehimin familjar për fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 26-vjeçare. Shumica dërrmuese e këtyre politikave nuk kanë ekzistuar më pare”- ka shtuar më tej kryeministri.

Kurti po ashtu shtoi se në reagimin e parë institucional “kemi shprehur gatishmërinë për të rishikuar përmbajtjen që nuk e kanë gjuhën e përshtatshme, dhe nuk përputhen me kontekstin apo standardet e edukimit”.

“Të premten, Ministria e jonë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka nxjerrë vendim për largim nga përdorimi i doracakëve ndihmës për mësimdhënës dhe rishikimin e tyre, me ç’rast në komisionin përkatës do të jenë të ftuar të gjitha palët relevante, përfshirë natyrisht edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës”- tha ai.

Kurti ka potencuar se lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit është “ intensifikuar si asnjëherë më pare”.

“ Informacionet sot duhet t’ia nënshtrojmë si verifikimit faktik e logjik ashtu edhe mendimit kritik. Për çfarëdo të dhënash të vërteta e të sakta që ju nevojiten, institucionet e shtetit dhe ministritë e qeverisë janë të hapura për juve”.

Kurti për fund ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin që kanë treguar përkundër, sipas tij, “të gjitha turbullirave nga diskutimet e papërmbajtura ditëve të fundit”.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), më 15.11.2024, ka vendosur t’i largojë doracakët për edukim seksual nga përdorimi në shkolla.

Ky vendim ka ardhur pas debatit dhe kritikave të bëra në Kuvend dhe në media, si dhe pas njoftimit të disa komunave për ndalimin e këtyre doracakëve.

Derisa, edhe disa komuna si Prishtina, Fushë Kosova, Vushtrria, Lipjani kanë marr vendim për ndalim të përdorimit të këtyre doracakëve në shkolla.

MAShTI largon nga përdorimi doracakët për edukimin seksual në shkolla