
Komuna e Klinës - Foto: KALLXO.com
Pas raportimit të KALLXO.com ekzekutohen bursat komunale për studentët në Klinë
Komuna e Klinës i ka ekzekutuar edhe 10 bursat komunale për studentë, të cilat kishin mbetur pa u ekzekutuar për arsye teknike.
Ashtu siç kishte raportuar KALLXO.com dhe në bazë të përgjigjeve nga zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit në Klinë, ekzekutimi i papërfunduar i 10 nga 80 bursave komunale do të ndodhte më 31.01.2025.
“Po janë përfunduar pagesat për 10 bursat e mbetura, të cilat nuk janë ekzekutuar për arsye teknike. Më 31 janar 2025, ditë e premte, është përfunduar.” – ka treguar Sali Berisha, zyrtar për Karrierë në Komunën e Klinës.
Konkursi për ndarjen e bursave për studentët e Komunës së Klinës është publikuar më 23.10.2024 dhe ka qenë i hapur për aplikim deri më 07.11.2024. Kurse, lista përfundimtare e përfituesve të bursës komunale në Klinë është publikuar më 05.12.2024.
Sipas Konkursit të datës 23.10.2024, bursa komunale u është ndarë 80 studentëve të Klinës, në vlerë 50 euro në muaj për një kohëgjatje njëvjeçare për vitin akademik 2024/2025. Pra, gjithsej studentët klinas përfitojnë 600 euro nga kjo bursë. Për vitin akademik 2024/2025 janë ndarë 20 bursa më shumë, se sa ishin ndarë në vitin akademik 2023/2024.
Zyrtari Berisha ka shpjeguar po ashtu se nuk kanë kufizime në notën mesatare të kërkuar për studentët të cilët studiojnë në drejtimet deficitare: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, drejtimet e Matematikës dhe Fizikës në profilin arsimor.
Po ashtu sipas Konkursit, studentët përfitues nuk duhet të jenë përfitues të ndonjë burse tjetër nga buxheti i Kosovës dhe të mos jenë të punësuar në institucione publike.
“Studenti përfitues i bursës obligohet ta kthejë bursën e Komunës, nëse konstatohet se merr bursë nga ndonjë njësi tjetër buxhtore.” – thuhet në Konkursin e datës 23.10.2024, të Komunës së Klinës.
Berisha ka thënë se sipas Rregullores komunale për ndarjen e bursës, e drejta për aplikim për bursë komunale nuk i takon studentëve të Kolegjeve private.
Edhe pse nga dokumentacioni që kërkojnë nuk identifikohet përkatësia nacionale, Berisha thotë se kanë informacione zyrtare se ka përfitues të bursës komunale edhe nga komunitetet. KALLXO.com e ka pyetur edhe nëse ka studentë me aftësi të kufizuara – përfitues të bursës.
“Përfitues burse mund të jetë çdo student i Komunës së Klinës në studimet bachelor, pa asnjë diskriminim në lidhje me përkatësinë nacionale, gjinore, statusin familjar ose aftësinë fizike. Ndërsa, sa u përket studentëve me aftësi të kufizuara, ata kanë përparësi në vlerësim, në kushte të barabarta. Sipas dokumentacionit, nuk kemi pasur aplikues nga kjo kategori.” – ka treguar Berisha, më 30.01.2025.