Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komiteti për Financa i Komunës së Mitrovicës së Jugut i rekomandon DKA-në ndalimin e përdorimit të doracakëve të edukimit seksual në të gjitha shkollat e Mitrovicës

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka diskutuar për përdorimin e doracakëve të lëndës “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, i miratuar nga Ministria e Arsimit.

Kjo Komunë ka njoftuar sot, më 15.11.2024, në mbledhjen e 34-të të rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa, se i kanë rekomanduar Drejtorisë së Arsimit ndalimin e përdorimit të doracakëve në të gjitha shkollat e Mitrovicës.

“Gjatë mbledhjes ishte propozuar Plani i veprimit për shërbime sociale e familjare sipas rregullores për ndryshim- plotësim të rregullores 01/2022 për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Administratës Komunale dhe Rekomandim për Drejtorinë e Arsimit lidhur me ndalimin e përdorimit të Doracakëve “Edukimi Seksual dhe shëndeti riprodhues”, 1-5.6-9 dhe 10-12 në të gjitha shkolla e Komunës së Mitrovicës” – thuhet në njoftimin e Komunës.

Kundër përfshirjes së këtyrë doracakëve për edukimin seksual në shkolla, kanë dalë kundër Komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Lipjanit, të premten, më 15.11.2024.

Përveç këtyre komunave, doracakut për “Edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues” edhe Komuna e Prishtinës i kishte thënë “jo” dje, më 14.11.2024.

Sipas drejtoreshës së Arsimit, në Prishtinë, Jehona Lushaku- Sadriu, përmbajtja e doracakëve është “e dëmshme dhe abuzues” për fëmijët.

“Ne besojmë se kjo përmbajtje është e dëmshme dhe abuzuese me fëmijët dhe besojmë fuqishëm që ky vendim për mos aplikimin e doracakëve është në interesin e nxënësve dhe prindërve të komunës sonë”- thuhet në njoftim.

Ngjashëm ka vepruar edhe Komuna e Fushë-Kosovës, dje më 14.11.2024.

Lidhur me përdorimin e këtyre doracakëve ka pasur edhe reagime nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Një deklaratë e deputetit Eman Rrahmani në seancën e datës 11.11.2024 në Kuvendin e Kosovës lidhur me doracakët për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues është bërë temë diskutimi në publik.

Lidhur me këtë temë ka reaguar Ministria e Arsimit.

Sipas Ministrisë, doracakët në fjalë nuk janë obligativë dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.

Replika e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në Kuvend ishte se “kurrikulat tona të cilat i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe miredukimin e të gjitha vajzave dhe djemve”.

Mirëpo, dje, më 13.11.2024, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit tha se nuk ka ndonjë kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual.

Por, në sqarimin e MASHTI-it u tha se janë katër doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër dhe këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga MASHTI më 10.02.2020.

Ministria tha se njofton prindërit, palët e interesit se këta doracakë nuk janë obligativë dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.

“Në vitin 2016, MASHTI ka themeluar grupin punues me përfaqësues si ekspertë nga IKSHPK, ekspertë të kurrikulës dhe mësimdhënës, me detyrë për hartimin e dokumenteve dhe këtyre doracakëve. E gjithë ky proces është mbështetur nga UNFPA. Grupi punues ka hartuar 4 doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër. Këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga MASHTI më 10.02.2020” – u theksua në reagimin e Ministrisë.

Ndërsa, më 14.11.2024 ka reaguar Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) duke theksuar rëndësinë e edukatës seksuale te fëmijët.Sipas KOMF, edukata seksuale është një pjesë thelbësore e zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre fizik, emocional dhe mendor.