Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Disa nxënës kosovarë të cilët fituan në garat në Dubai, pretendohet se MASHTI ende nuk i ka shpërblyer

Ministria e Arsimit u kishte premtuar shpërblime nxënësve të cilët fituan trofe e medalje të arta dhe medalje të argjendta në garat ndërkombëtare të Abakusit dhe Aritmetikës mendore, të mbajtura në Dubai, më 23.11.2024.

Sipas Programit “Brainobrain Kosovë”, në garat ndërkombëtare të Abakusit dhe Aritmetikës mendore, në nëntor të vitit 2024, morën pjesë 26 nxënës nga Kosova.

Tre ditë pasi ishin mbajtur garat në Dubai, Brainobrain Kosova kishte njoftuar se në tërë grupin e nxënësve kosovarë rezultuan: 16 fitues të vendeve të para të cilët rrëmbyen trofetë e arta, 7 fitues të vendeve të dyta – medalje të arta dhe 3 fitues të vendeve të treta – medalje të argjendta.

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 10.01.2025, ka njoftuar se u kanë ndarë mirënjohje e shpërblime 63 nxënësve, të cilët janë fitues në garat vendore dhe ndërkombëtare të Matematikës dhe Fizikës gjatë vitit 2024.

Sipas njoftimit të ministres Nagavci i bie që nxënësit kosovarë, të cilët janë fitues të vendit të parë në Dubai do të shpërbleheshin me 1,000 euro; nxënësit që janë fitues të vendit të dytë me 800 euro dhe ata të vendit të tretë me 640 euro.

Mirëpo, një prind ka raportuar në KALLXO.com se fëmija i saj, i cili ka fituar vendin e parë në garat ndërkombëtare të Abakusit dhe Aritmetikës mendore në Dubai dhe gjashtë nxënës të tjerë fitues, të gjithë nga Komuna e Gjakovës, ende nuk janë shpërblyer nga Ministria e Arsimit siç është premtuar.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit, më 03.02.2025, se pse nuk janë ndarë shpërblimet edhe për shtatë nxënësit nga Gjakova të cilët kanë rezultuar fitues në garat ndërkombëtare të Abakusit dhe Aritmetikës në Dubai në nëntor 2024, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.

Për dallim nga viti 2023 dhe 2022, këtë vit nuk mori pjesë kryeministri Albin Kurti në ndarjen e mirënjohjeve e shpërblimeve për nxënësit fitues të garave vendore e ndërkombëtare, ashtu siç kishte marrë pjesë në ceremonitë paraprake. Por, këtë vit, Nagavcin e kanë shoqëruar dy zëvendësit e saj, Arsim Ademi e Taulant Kelmendi.

Më 12.12.2023, ministrja Nagavci i kishte takuar 28 nxënës, të cilët kishin qenë pjesëmarrës e fitues të garave ndërkombëtare “Brainobrain International”. 

Dhjetë ditë më pas, Nagavci së bashku me kryeministrin Kurti u kanë ndarë mirënjohje dhe shpërblime nxënësve që ishin fitues të garave në fushën e Matematikës dhe Fizikës, në nivel vendi e nivel ndërkombëtar.

I njëjti skenar edhe në vitin 2022, Kurti e kishte shoqëruar Nagavcin në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve e çmimeve për 45 nxënës fitues në gara ndëkombëtare e vendore, më 19.10.2022.