Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

"Emërimet politike": Haradinaj s'i përjashton ndryshimet në AKI nëse bëhet kryeministër

Kandidati për kryeministër nga AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, në “Debat Përnime” ka shprehur qëndrimet e tij lidhur më emërimet politike që pretendohen të kenë ndodhur gjatë mandatit qeverisës të Albin Kurtit.

Një prej emërimeve që mund të rishikohet, në rast se ai e merr drejtimin e Qeverisë, është ai i Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Sipas tij, në të gjitha pozitat ku ka pasë emërime politike do të ketë emërime të reja.

“Është një proces i njohur i emërimeve politike. Mendoj që të gjitha do të jenë emërime të reja… Në AKI, drejtor të Policisë e shumë detyrave tjera me siguri do t’i kemi të ri”- tha Haradinaj.

Në vazhdën e kësaj, ai shprehi qëndrimin edhe për nismën e qeverisë aktuale për krijimin e Byrosë për Sekuestrimin e Pasurisë së Pajutifikueshme, duke thënë se nuk e sheh këtë si “çelës të zgjidhjes së problemeve në Kosovë”.

Zgjidhja, sipas tij, do të jetë vazhdimi i legalizimit të plotë në Kosovë.

Për këtë, sipas tij, duhet të nxiten qytetarët për ta aktivizuar kapitalin e tyre.

“Unë besoj së duhet me vazhdu me ndodhë një legalizim i plotë në Kosovë, ashtu siç kemi bërë me ndërtimet pa leje këtu në kryeqytet e në krejt vendin. Besoj që duhet me i nxitë qytetarët e vendit me aktivizu kapitalin e tyre në ekonomi, pra me legalizu dhe me zvogëlu ekonominë joformale. Kosova ka mjaft ligje, mekanizma e instrumente për me e gjet nëse një pronë ose një situatë ekonomike nuk është në përputhje me ligjin, cilindo qoftë”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.

“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Vija e kuqe e Haradinajt dhe synimet kryesore të tij nëse bëhet kryeministër