
Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Haradinaj: Mos më krahasoni me Albin Kurtin, është ofendim për mua
Ramush Haradinaj e konsideron si ofendim çfarëdo krahasimi që mund t’i bëhet me kryeministrin, Albin Kurti.
Këtë e ka shpërfaqur gjatë emisionit “Debat Përnime”, më 05.02.2025, kur është pyetur nga Visar Prebreza nga Krypometri, se nëse bëhet kryeministër a do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike në vend, siç kishte premtuar Kurti në vitin 2019.
“Pashë Zotin mos më krahasoni me të. Pashë Zotin, të lutëm! Shumë ofendim është me [më krahasuar me] një rrencë të tillë. Unë s’kam thanë që nuk hipi në xhipa, edhe kam hipë edhe pa kanë në pushtet … Ai ka thënë që nuk hipi në xhipa e sot na torturon me 40 xhipa.”- tha ai.
Haradinaj është kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma dhe gjatë karrierës së tij politike ka qenë dy herë në këtë pozitë.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.
“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
Vija e kuqe e Haradinajt dhe synimet kryesore të tij nëse bëhet kryeministër