Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Haradinaj tregon se a është “pro” apo “kundër” që Blerim Isufaj të jetë Kryeprokuror

Ramush Haradinaj si kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, ka shprehur qëndrimet e tij rreth disa prej temave me të cilat mund të përballet në rast se bëhet shef i Qeverisë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në “Debat Përnime”, më 05.02.2025, ai tha se Kryeprokurori duhet të zgjidhet pa ndërhyrje politike.

“Ne nuk do të mbajmë qëndrime. Nuk do të varet gjyqësori e as prokuroria nga qëndrimet politike tona. Ato duhet të zhvillohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës pa ndërhyrje politike edhe pa pengim politik, pra me mbështetje. Dhe, këdo që e nxjerr procesi i brendshëm, ai është kryeprokuror edhe i imi”- tha ai.

Ndërsa, kur u pyet nëse është “pro” që Blerim Isufaj të mbetet në këtë pozitë, ai u përgjigj “Po”.

Mirëpo, Haradinaj nuk i tha “Po” procesit të Vetting-ut në Polici dhe në institucionet e tjera.

Madje, këtë proces, ai e konsideron si një “humbje kohe dhe shprehje mosbesimi ndaj institucioneve”.

“Nuk jam ithtarë i këtyre veprime. Janë humbje kohe dhe janë shprehje mosbesimi ndaj institucioneve këto procese. Kontrolli i brendshëm ekziston në cilindo institucion. Inspektorati në Polici, ka mekanizma të brendshëm të kontrollit dhe të përformancës”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.

“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Vija e kuqe e Haradinajt dhe synimet kryesore të tij nëse bëhet kryeministër