
LAJMI I FUNDIT - Policia KS2
Digjet një veturë në Podujevë, brenda u gjetën eshtra të njeriut
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për KALLXO.com se një veturë është djegur në fshatin Gllamnik të Podujevës, teksa në të dyshohet se ka qenë edhe një person.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi e ka konfirmuar për KALLXO.com se brenda veturës janë gjetur mbetje kockore, që dyshohen se i përkasin njeriut.
“Dyshohet se në veturë ka eshtra njeriu. Hetimet po vazhdojnë.” – tha Kryeprokurori Gashi për KALLXO.com.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi ka treguar se vetura e djegur është me targa të Serbisë.
Ndërkohë, detaje më shumë Prokuroria dha përmes komunikatës për media, më 05.02.2025, duke konfirmuar se rasti ka ndodhur të martën më 04.02.2025.
“Më 04.02.2025, Prokurori kujdestar është informuar nga Stacioni Policor në Podujevë për gjetjen e një veture të djegur dhe me rastin e ekzaminimit ka rezultuar se brenda saj ka prezencë të mbetjeve kockore, me ç’rast Prokurori i Shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjekoligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Prishtinës.
Sipas Prokurorisë rasti është në fazën fillestare të hetimeve.
“Më pas Prokurori i Shtetit ka autorizuar dhe në koordinim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit. Duke pasur parasysh që jemi në fazën fillestare të rastit, për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo Prokurori i Shtetit është i përkushtuar që në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit të zbardhë në tërësi rastin.” – sqaroi Prokuroria e Prishtinës.
Policia nuk ka dhënë informacione tjera, duke thënë t’i referohemi komunikatës së Prokurorisë.