
Klasë brenda shkollës | Ilustrim
Dyshimi për dhunë ndaj të miturit në Mitrovicë, mblidhen mësimdhënësit e shkollës bashkë me zyrtarë të arsimit e sigurisë
Pas pretendimeve të një nëne në Mitrovicë se djali i saj po keqtrajtohet nga nxënësit e shkollës ku mëson, është mbajtur një mbledhje e mësimdhënësve të kësaj shkolle bashkë me zyrtarë të arsimit dhe sigurisë në këtë komunë më 01.02.2025.
Në një komunikatë të Komunës së Mitrovicës thuhet se Drejtoria e Arsimit i ka kushtuar vëmendje të veçantë situatës që nga momenti i publikimit të ankesës nga nëna dhe menjëherë pas marrjes së informacionit, kanë kërkuar të dhëna nga shkolla dhe organet kompetente, përfshirë Policinë.
“Po ashtu, kemi kontaktuar nënën e fëmijës nëpërmjet telefonit për t’i kërkuar një takim, dhe ajo është dakorduar të më takojë në ditët në vijim për të diskutuar më gjerësisht shqetësimet e saj” – ka njoftuar Komuna e Mitrovicës në Facebook më 01.02.2025.
Komuna e Mitrovicës ka lutur të gjithë që të shmangin përfundimet e nxituara dhe të mos instrumentalizojnë fëmijët për qëllime të pasinqerta.
“Informacionet zyrtare do t’ju bëhen të ditura sapo të kemi një pasqyrë të plotë të rastit” – kanë theksuar nga Komuna.
Për këtë rast, mbrëmjen e datës 31.01.2025 reagoi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila hedhi kritika ndaj Komunës së Mitrovicës për trajtimin e rastit.
Në reagimin e saj, ministrja Nagavci shprehu shqetësim të thellë për këtë rast dhe theksoi se dhuna në çfarëdo forme, është e papranueshme dhe nuk tolerohet.
“Njëkohësisht, është alarmuese që Komuna e Mitrovicës ka dështuar ta trajtojë këtë rast, duke mos i dhënë rëndësinë që meriton. Ky është një dështim institucional që nuk mund të kalojë pa dhënë përgjegjësi” – ka shkruar Nagavci në Facebook më 31.01.2025
Drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë të Jugut, Drita Kadriu, i është përgjigjur këtij reagimit të Nagavcit duke thënë se po mbledhë vota, pasi është kohë e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare.
“Fushatë është, po i mbledhë votat. Deri i ka ra në mend asaj, na jemi marrë me temën” – ka thënë Kadriu për KALLXO.com.
KALLXO.com raportoi pretendimet e nënës së nxënësit të mitur, të cilat ajo i ka publikuar në një profil në Facebook të premten, më 31.01.2025.
Ajo ka treguar se është nënë vetushqyese dhe se këto shqetësime për djalin e saj i ka ngritur te drejtori i shkollës, kujdestarja e klasës dhe te prindërit e fëmijëve që pretendon se po shkaktojnë dhunë ndaj tij.
Nëna së bashku me djalin e saj të mitur thotë se për këtë rast është paraqitur në Policinë e Mitrovicës, më 31.01.2025.
Ajo pretendon se kujdestarja e klasës ku mëson djali i saj është në dijeni për rastin dhe se ka marrë masë ndëshkuese ndaj të miturit duke e larguar nga klasa.
Më tej, prindi thotë se djalin e saj e kanë kaluar në një klasë paralele tjetër, dhe sipas saj, një fëmijë “problematik” dhe të tjerë kanë shkuar në atë paralele dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar se në orët e pasdites të datës 31.01.2025, kanë pranuar një raportim nga nëna e një nxënësi në raport me shkollën ku ai vijon mësimin.