Rushiti: Vendimi i Administratës Trump për të ndërprerë ndihmat ndërkombëtare prek edhe projekte të QKRT-së

Vendimi i Administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane ka prekur edhe disa projekte të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRT), që financoheshin nga USAID (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar).

Feride Rushiti, themeluese dhe drejtoreshë e QKRT-së, në një intervistë në Shtëpinë e Gazetarëve (Reporting House) dha detaje për dy projektet që janë prekur direkt nga vendimi për ndërprerje të ndihmës.

“Vendimet e fundit të Administratës Trump na kanë afektuar edhe neve si organizatë. Kanë qenë dy projekte në partneritet me disa organizata amerikane dhe fatkeqësisht disa zhvillime dhe shërbime të institucioneve të organizatës janë ndërprerë” – tha ajo.

“Projektet kanë qenë kryesisht avancimi i shërbimeve të shërbimeve të shëndetit mendor dhe psikosocial, në një fazë tjetër jemi në proces për të zhvilluar një databazë për trajtimin e të gjitha rasteve që marrin shërbime psikosociale, pastaj në zhvillimin e monitorimit të evaluimit dhe mësimit mbi gjithë përvojën që e kemi ndërtuar”- shtoi më tej Rushiti.

Rushiti theksoi se javën e kaluar është dashur të ndërpriten të gjitha aktivitetet për shkak të atij vendimi.

“Ka qenë edhe një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm me psikologë të shkollave – zhvillimi i qasjes së psikoterapisë në komunën e Gjilanit dhe të Prishtinës, që për ne ka një rëndësi të veçantë, ka qenë projekt i shkurtë, por shumë domethënës për faktin që 0rganizata përtej që punon në tramuën primare, punon me të mbijetuar të dhunës seksuale dhe ndër vite ka arritur ta shohë efektin e traumës së dhunimit në breza të ri që pasojnë. Përmes psikologëve kemi shtrirë rrjetin edhe nëpër shkolla, ku aty targetohet traumatizmi sekondar dhe ndërbrezor”- shtoi më tej Rushiti.

Feride Rushiti, e cila mori Çmimin Ndërkombëtar të Grave të Guximshme nga Sekretari amerikan i Shtetit në vitin 2018, derisa këtë vit është e nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025, u shpreh se janë në bisedime me organizata të tjera që të arrijnë përkrahje për këto projekte.

“Aktualisht jemi duke bashkëpunuar edhe me organizata lokale dhe në nivel ndërkombëtar që këtyre projekteve t’u gjendet zgjidhje e përkohshme, me shpresë që pas një periudhe revidimi, mbase këto projekte do kenë përkrahje. Duhet të evidentojmë donatorë të rinj, por edhe shpresojmë që Administrata e Trump të arrijë të prioritetizojë nevojat e atyre që kanë nevojë për shërbime të tilla”- ka  thënë Rushiti.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump njoftoi se do t’i pezullojë nga puna të gjithë punonjësit me kontratë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në mbarë botën dhe se do t’i tërheqë mijëra pjesëtarë të stafit të cilët punojnë jashtë vendit.

USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999 dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.

Gjatë 25 vjetëve USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Administrata Trump pezullon nga puna punonjësit e USAID-it në mbarë botën