Ministria e Arsimit Foto: Denis Sllovinja
Ministria e Arsimit: Doracakët për edukimin seksual nuk janë obligativë dhe nuk janë tekste mësimore
Një deklaratë e deputetit Eman Rrahmani në seancën e datës 11.11.2024 në Kuvendin e Kosovës lidhur me disa doracakë për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues është bërë temë diskutimi në publik.
Lidhur me këtë temë ka reaguar sot Ministria e Arsimit.
Sipas Ministrisë, doracakët në fjalë nuk janë obligativë dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.
Sipas deklaratës së deputetit Rrahmani, është një ‘kurrikulë’ përmes së cilës mësohet se si mësimdhënësit t’u tregojnë fëmijëve prej klasës së parë deri në klasën e 12-të se si t’i kryejnë marrëdhëniet seksuale.
“Në atë kurrikulë ministrja Nagavci ka miratuar dhe ka prezantuar në vitin 2023 që fëmijët prej klasës së parë deri në klasën e 12-të të marrin shembuj një vajzë dhe një djalë ku i qesin para gjithë shokëve dhe shoqeve të klasës dhe njërit ia mbyll sytë për 5 minuta e nxënësi tjetër ka me prekë me dorën e tij gjithë trupin me sy mbyllur dhe pastaj do t’i ndërrojnë rolet e ku pastaj vajza do ta prekë fëmijën tjetër për 5 minuta gjithë trupin dhe para gjithë klasës do tregojnë se çka kanë ndjerë, çfarë organe kanë prekur dhe si janë ndjerë ata fëmijë” – tha deputeti.
Replika e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në Kuvend ishte se “kurrikulat tona të cilat i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe miredukimin e të gjitha vajzave dhe djemve”.
Mirëpo, sot, më 13.11.2024, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit tha se nuk ka ndonjë kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual.
Por, në sqarimin e MASHTI-it u tha se janë katër doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër dhe këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga MASHTI më 10.02.2020.
Ministria tha se njofton prindërit, palët e interesit se këta doracakë nuk janë obligativë dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.
“Në vitin 2016, MASHTI ka themeluar grupin punues me përfaqësues si ekspertë nga IKSHPK, ekspertë të kurrikulës dhe mësimdhënës, me detyrë për hartimin e dokumenteve dhe këtyre doracakëve. E gjithë ky proces është mbështetur nga UNFPA. Grupi punues ka hartuar 4 doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër. Këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga MASHTI më 10.02.2020” – u theksua në reagimin e Ministrisë.
Madje, tutja u shtua se propaganda që po zhvillohet ditëve të fundit, shoqëruar me dezinformata dhe manipulime duke konstatuar se këta doracakë janë kurrikula arsimore e pastaj duke i paraqitur si libra shkollorë për nxënës e deri tek obligueshmëria e zbatimit të tyre, është në dëm të mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve.
MASHTI ka përmendur se në vijimësi të rishikimit të teksteve shkollore do të rishikohen edhe këta doracakë dhe materialet e tjera informative për mësimdhënës.
Ministria deri më tani ka një raport të fazës së parë të rishikimit të teksteve mësimore të klasave 1 – 9, të lëndëve Matematikë e Gjuhë Shqipe.
Ky është reagimi i plotë i Ministrisë së Arsimit:
Njoftim
Të nderuar, qytetarë, prindër, mësimdhënës, media.
Në lidhje me debatin e ngritur ditëve të fundit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual siç është raportuar e përfolur këto dy ditë.
Në Kosovë ndryshimet kurrikulare kanë nisur në vitin 2001. Gjatë viteve 2008-2016 janë miratuar dhe hartuar Korniza e Kurrikulës së Kosovës, kurrikulat bërthamë dhe programet lëndore.
Në kuadër të kurrikulës së saj arsimore, në përputhje me standardet evropiane të përcaktuara nga OBSH, Kosova ka përfshirë edukimin seksual në kurrikulën e saj arsimore përmes kompetencës “Individ i shëndosh,”. Edukimi seksual trajtohet si çështje ndërkurrikulare, përmes lëndëve të ndryshme mësimore, prej përspektivave të ndryshme, në kontekstin shkencor, shoqëror-kulturor dhe shëndetësor me qëllim mbrotjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet e shumta që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre.
Në vitin 2016, MASHTI ka themeluar grupin punues me përfaqësues si ekspertë nga IKSHPK, ekspertë të kurrikulës dhe mësimdhënës, me detyrë për hartimin e dokumenteve dhe këtyre doracakëve. E gjithë ky proces është mbështetur nga UNFPA. Grupi punues ka hartuar 4 doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër. Këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga MASHTI më 10.02.2020.
MASHTI njofton prindërit, palët e interesit se këta doracakë nuk janë obligativ dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.
Propaganda që po zhvillohet ditëve të fundit, shoqëruar me dezinformata dhe manipulime duke konstatuar se këta doracakë janë kurrikula arsimore e pastaj duke i paraqitur si libra shkollorë për nxënës e deri tek obligueshmëria e zbatimit të tyre, është në dëm të mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve.
Si Ministri e Arsimit, me përgjegjësi të plotë punojmë dhe angazhohemi për mirëqenien e fëmijëve. Tre vitet e fundit kemi rishikuar shumë tekste dhe dokumente që kanë përmbajtje dhe gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese sikurse edhe pasaktësi shkencore.
Në linjë me këtë, ju informojmë se në vijimësi të rishikimit të teksteve shkollore, do të rishikohen edhe këta doracakë dhe materialet tjera informative për mësimdhënës.