
Ilustrim: Naser Fejza
Gjendet i vdekur personi nga Ferizaj që u raportua i zhdukur, arrestohet një i dyshuar për vrasje të rëndë
Për shkak të dyshimit për veprën penale – vrasje e rëndë, një person me iniciale L.F. është ndaluar për 48 orë, ka njoftuar Prokuroria e Ferizajt.
Sipas Prokurorisë, L.F. dyshohet se ka lidhje me rastin e zhdukjes së Bekim Shaban Varit, për të cilin nuk dihej asgjë që nga 22.01.2025.
Prokuroria ka njoftuar se më 05.02.2025 trupi i Bekim Varit është gjetur i pajetë.
“Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohet dhe ndalohet i dyshuari L.F., lidhur me rastin kur fillimisht një person me inicialet B.V., është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij dhe sot më datën 05 Shkurt 2025, është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit B.V., në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Ferizajt.
Prokuroria njoftoi se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit.
Sipas njoftimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML).
Policia në Ferizaj më 01.02.2025 kishte kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e vendndodhjes së Bekim Varit që rezultonte i zhdukur nga data 22.01.2025.
Policia me autorizim nga Prokuroria Themelore në Ferizaj e kishte publikuar fotografinë e personit të zhdukurit.
Sipas njoftimit të Policisë, familjarët kishin raportuar më 29.01.2025 se Bekim Shaban Vari ishte larguar nga shtëpia në fshatin Pleshinë e Ulët të Ferizajt më 22.01.2025, rreth orës 17:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihej asgjë për vendndodhjen e tij.