
Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Pas raportimit të KALLXO.com, dy studentëve të Mjekësisë u ndahen bursat elitare
Zyrtarëve në Ministri të Arsimit iu deshën tri herë t’i verifikojnë dokumentet e dy studentëve të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës për t’i shpallur fitues të bursës elitare.
Herën e parë, dy studentët e Mjekësisë nuk u shpallën fitues të bursës elitare sipas listës së parë me emrat e studentëve përfitues më 12.12.2024. Katër ditë më pas, këta dy studentë bashkë me një grup prej 18 studentësh të tjerë u detyruan të ankoheshin në Ministri të Arsimit.
Dy studentët në fjalë, bashkë me 14 kolegë të tjerë të drejtimit Mjekësi e Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë, raportuan në KALLXO.com më 24.12.2024 se i plotësojnë kriteret e konkursit për ndarjen e bursave elitare nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2024/2025 të datës 15.11.2024.
Sipas tyre, ata u penalizuan nga Ministria e Arsimit me arsyetimin se i kanë 174 kredi, e në bazë të konkursit u kërkohen t’i kenë 60 kredi për një vit akademik. Ata kanë të përfunduar vitin e tretë të studimeve bachelor dhe i bie që duhet t’i kenë 180 kredi.
Studentët thanë se nuk mund t’i kenë 180 kredi pasi lënda Mjekësi interne është lëndë trisemestrale, që fillon në semestrin e gjashtë (semestri i dytë i vitit të tretë) dhe përfundon në semestrin e tetë (semestri i dytë i vitit të katërt). Këtë çështje e ka konfirmuar edhe sekretari i Fakultetit të Mjekësisë, Visar Muqaj, përmes një sqarimi që i kishte dërguar Ministrisë së Arsimit.
Ndonëse KALLXO.com nuk mori përgjigje nga data 26.12.2024 se pse nuk u është ndarë bursa elitare këtyre studentëve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, mori vendim që 16 prej atyre që u ankuan në grup, t’i gëzojë para Vitit të Ri duke i shpallur përfitues të bursës elitare më 30.12.2024.
Mirëpo, vendimi i Nagavcit i la jashtë studenten dhe studentin e Mjekësisë, të cilët më pas u ankuan ndaj këtij vendimi më 06.01.2025. Kjo ishte hera e dytë që ata u ankuan në Ministri të Arsimit.
Nga data 06.01.2025, KALLXO.com ka qenë në kontakt me Ministrinë e Arsimit se pse nuk u është ndarë bursa këtyre dy studentëve, të cilët i kanë dëshmuar KALLXO.com përmes transkriptës së notave, vërtetimit studentor e dëshmisë se kanë aplikuar në konkurs, që i plotësojnë të gjitha kriteret e tjera të konkursit – përveç se i kanë 174 kredi.
Në bazë të dokumenteve të studentëve, ata kanë notën mesatare prej 9.0 e tutje, nuk e kanë të përsëritur ndonjë vit të studimeve, i kanë të përfunduara të gjitha provimet e vitit paraprak me kohë, duke mos llogaritur lëndën Mjekësia interne dhe kanë aplikuar me kohë në konkursin për bursa elitare të Ministrisë së Arsimit.
Këto edhe janë shumica e kritereve të konkursit të Ministrisë së Arsimit të datës 15.11.2024 për ndarjen e bursave elitare për studentët e universiteteve publike të programeve bachelor e master, në vitin akademik 2024/2025. Vlera e bursës elitare është 1,000 euro.
Në një përgjigje për KALLXO.com, më 16.01.2025, Ministria e Arsimit tha se studentja e Mjekësisë e ka bashkëngjitur një transkriptë të notave në bazë të së cilës i ka 115 kredi.
Në të njëjtën ditë, KALLXO.com ka kontaktuar me studenten pas kësaj përgjigjeje të Ministrisë dhe ajo ka thënë se ndoshta gabimisht e ka dorëzuar në aplikim transkriptën e notave të vitit të dytë të studimeve.
Kurse, për studentin e dytë të Mjekësisë, Ministria e Arsimit tha se nuk janë duke e gjetur se ka aplikuar sipas platformës e-Kosova.
Me këtë rast, KALLXO.com ia ka dërguar Ministrisë së Arsimit dokumentet e dy studentëve të Mjekësisë që t’i verifikojnë, pasi përmes tyre dëshmohej se i plotësojnë kriteret për ta fituar bursën elitare.
Pas dërgimit të dokumenteve të studentëve, më 17.01.2025, Ministria e Arsimit ka thënë se studentja e Mjekësisë ka bashkëngjitur një transkriptë tjetër të notave – duke nënkuptuar për transkriptën që ka bashkëngjitur në ankesën e saj të dytë, kurse për studentin e Mjekësisë kanë treguar se i kanë shkruar zyrtarisht platformës e-Kosova për t’i informuar nëse ka aplikuar në këtë platformë pasi nuk u figuronte si aplikues.
Pas 10 ditësh, KALLXO.com është interesuar dhe e ka pyetur Ministrinë e Arsimit nëse kanë marrë përgjigje nga e-Kosova lidhur me aplikimin e studentit të Mjekësisë për bursën elitare dhe a janë të dy studentët përfitues të bursës elitare në bazë të dokumenteve që posedojnë.
Ministria kishte marrë përgjigje më 21.01.2025 rreth aplikimit apo jo të studentit në e-Kosova, por nuk e kanë përcjellë deri më 27.01.2025, pas interesimit të KALLXO.com.
“Ju informoj se nga ASHI kemi pranuar konfirmimin se studenti (i Mjekësisë) ka aplikuar në e-Kosovë me kohë!” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë më 27.01.2025.
Më pas, KALLXO.com ka insistuar të kuptojë nëse tashmë studentët janë përfitues të bursës elitare. Ministria e Arsimit tha se janë duke i shqyrtuar të gjitha ankesat, përfshirë edhe ato të këtyre dy studentëve.
“Komisioni për Ankesa në kuadër të MAShTI është duke shqyrtuar të gjitha ankesat ne lidhje me bursat, përfshirë edhe ankesat e studentëve X.X dhe X.X. Në momentin që do të dalë me një vendim zyrtar, do ta bëjmë publik në web faqen e MAShTI” – janë përgjigjur nga MASHTI më 28.01.2025.
Kaluan dy ditë nga komunikimi i fundit i KALLXO.com me Ministrinë e Arsimit dhe ata e kanë publikuar një vendim për ankesat e aprovuara rreth bursave elitare për vitin akademik 2024/2025.
Në këtë vendim të datës 31.01.2025, figurojnë edhe emrat e dy studentëve të Mjekësisë që janë ankuar në Ministri të Arsimit dy herë dhe po ashtu kanë raportuar në KALLXO.com. Përveç tyre, janë edhe 113 studentë të tjerë të programeve bachelor dhe master të vitit akademik 2024/2025 që u është aprovuar ankesa për bursat.
Problemi i studentëve të Mjekësisë me numrin e kredive
Katër ditë pasi u publikuan përfituesit e bursës elitare të Ministrisë së Arsimit, 16 studentët e Mjekësisë dhe 4 të tjerë kanë protokolluar në Ministri të Arsimit një ankesë grupore, në të cilën kanë sqaruar se pse nuk mund t’i kenë 180 kredi dhe se i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.
Madje, studentët pretenduan në ankesë se ka studentë të Mjekësisë që i kanë 174 kredi dhe janë përfitues të bursës.
“Ne kërkojmë që rasti jonë të trajtohet në mënyrë të veçantë, sepse problemi me numrin e kredive nuk ka të bëjë me ndonjë gabim teknik nga ana jonë, si dhe të marrim bursën në të njëjtën kohë me të gjithë studentët e tjerë që kanë 174 ECTS [kredi] dhe që janë përfshirë në listën e publikuar nga MAShTI më datën 11/12/2024, Vendimi 01B-224”- thuhet në ankesën e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë më 16.12.2024.
Ankesa është e nënshkruar dhe mban emrat e të gjithë studentëve së bashku me numrin e tyre identifikues në UP.
Në të njëjtën ditë, më 16.12.2024, MASHTI-t i është dërguar sqarimi i sekretarit të Fakultetit të Mjekësisë në UP, Visar Muqaj, të cilin e ka siguruar KALLXO.com. Në këtë sqarim, është shpjeguar numri i kredive për studentët e vitit të tretë dhe të katërt të Mjekësisë.
Edhe ky sqarim e pohoi atë që thanë 16 studentët e Mjekësisë sa u përket kredive.
“Studentët e vitit të IV-të, drejtimi “Mjekësi e Përgjithshme”, nuk mund t’i kenë 180 ECTS, për shkak se me Planprogramin 2016 me të cilin janë duke i vijuar studimet, lënda “Mjekësi interne” dëgjohet në vitin e III-të (6 ECTS) dhe vitin e IV-të (6 ECTS), si dhe provimit i nënshtrohen në vitin e IV-të. Andaj, studentët që i kanë 29 provime dhe 174 ECTS kanë të përfunduar vitin e III-të”– ka sqaruar Vuqaj për MASHTI-n më 16.12.2024.
“Studentët e vitit të V-të – drejtimi “Mjekësi e Përgjithshme” nuk mund t’i kenë 240 ECTS, për shkak se me Planprogramin 2016, me të cilin janë duke i vijuar studimet lënda “Kirurgji” dëgjohet në vitin e IV-të (6 ECTS) dhe vitin e V-të (4 ECTS), si dhe i nënshtrohen provimit në vitin e V-të. Andaj, studentët që i kanë 45 provime dhe 234 ECTS kanë të përfunduar vitin e IV-të”– ka shtuar Vuqaj.
Ai ka lënë edhe një njoftim në fund të sqarimit, duke thënë se ia ka bashkëngjitur shkresës Planprogramin 2016 të Mjekësisë së Përgjithshme, të lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë.
Në mesin e 16 studentëve, njëri nga studentët i ka thënë KALLXO.com se gjatë aplikimit për bursë e ka ngarkuar ekstraktin e lindjes në vend të certifikatës së shtetësisë dhe se nuk e ka ngarkuar faqen e dytë të transkriptës së notave.
Megjithatë, studenti ka deklaruar se kur e ka shkruar ankesën i ka dorëzuar të gjitha dokumentet origjinale – duke e përfshirë edhe certifikatën e shtetësisë. Ky është njëri nga studentët që figuron në vendimin e Nagavcit më 30.12.2024.
Studentja e Mjekësisë që e ktheu bursën elitare në janar 2024
Gjatë vitit 2024, KALLXO.com ka raportuar në muajin janar dhe shkurt 2024, për një studente të Fakultetit të Mjekësisë në UP, F. Z., e cila dyshohej se nuk e kishte merituar bursën elitare të ndarë nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2023/2024.
F.Z. nuk i kishte përmbushur të gjitha kriteret për ta fituar bursën. Sipas një përgjigjeje të komisionit të MASHTI-t, studentes i janë dashur edhe 35 kredi nga 120 sa do të duhej t’i kishte. Pra, F. Z. ka pasur provime të papërfunduara të vitit paraprak.
Pasi ky komision e ka verifikuar se studentja nuk e ka merituar bursën, asaj i është dhënë një afat kohor për dorëzimin e bursës.
Në një bisedë për KALLXO.com, studentja e kishte pranuar se e ka kthyer bursën më 13.02.2023.