
Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Haradinaj paralajmëron “valë shkarkimesh" nëse bëhet kryeministër
Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, zotohet se nëse vjen në krye të Qeverisë, nuk do të ketë tolerancë e as kompromis ndaj atyre që nuk i kryejnë punët me përgjegjësi.
“Matja e performancës do të jetë domosdoshmëri. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që nuk është i fokusuar mirë në përgjegjësitë e veta që nuk i kryen mirë dhe në kohë. Nuk do të ketë kompromis. Kushdo që nuk jep parametra të mirë në punë, mendoj qe duhet me liru hapësirën menjëherë”- tha ai në “Debat Përnime”, më 05.02.2025.
Haradinaj premtoi kritere profesionale për ata që duan të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës.
“Unë mendoj që kriteri profesional dhe i ekspertizës nuk do të jenë të anashkalueshme në asnjë variant. Mund të ketë ndonjë rast që do të ketë, po e them ashtu edhe militantë partiakë që marrin përgjegjësi, por jo duke i sakrifikuar kriteret profesionale dhe ekspertizën e nevojshme për atë punë. Nëse ndodh që dikush me afërsi ose lidhje partiake ka depërtuar në një pozicion e nuk është i suksesshëm nuk besoj që do të ketë mëshirë [ndaj tij]”- tha ai.
Arsyeja pse s’do të këtë “mëshirë” për raste të tilla, sipas tij, është se nuk ka kohë më për këto gjëra.
“Nuk kam më kohë. Nuk jam në hyrje në politikë, unë jam në përmbyllje të angazhimit tim në politikë. Nuk kam më kohë me i riparu më gabimet e mia gjatë qeverisjes. Më duhet me kry punën në shërbim të vendit”- tha Haradinaj.
Për të qenë përzgjedhjet e njerëzve adekuat, ai tha se do ta mirëpresin edhe ekspertizën nga programi britanik.
Shkarkim të menjëhershëm, sipas Haradinajt, do të ketë për bordin e KEK-ut dhe KOSTT-it.
Ndërsa qasja që AAK-Nisma pritet ta ketë ndaj RTK-së është se udhëheqësit e mediumit publik “nuk kanë nevojë me ju servilosur pushtetit”, pasi që RTK ka pavarësi financiare që i mundësohet përmes Kuvendit.
“Një pjesë të fajit e bartin një pjesë e atyre udhëheqësve në RTK që i janë servilosur partisë. Ne ju kemi dhanë RTK-së pavarësinë sepse financohet nga parlamenti. Nuk kanë nevojë me u nënshtru e me u ba servilë”- tha ai.
Haradinaj nuk do t’i kursej nga shkarkimet as Sekretarët e përgjithshëm që janë vendosur me “lidhje politike e familjare” gjatë Qeverisë Kurti.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.
“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
Vija e kuqe e Haradinajt dhe synimet kryesore të tij nëse bëhet kryeministër