Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Lumezi: Kosova e vendosur të bashkëpunojë me gjithë rajonin për luftimin e kriminalitetit

Në konferencën për Bashkëpunim Ndërkufitar kundër Krimit, në Mal të Zi, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi ka deklaruar se Kosova është e vendosur që të bashkëpunojë me gjithë rajonin për luftimin e kriminalitetit.

“Kosova është e vendosur që të bashkëpunojë me të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimeve të tjera transnacionale”, tha Lumezi.

Ai e ka cilësuar këtë takim të rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave të shteteve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal dhe luftën kundër krimeve transnacionale.

Lumezi shtoi se pas kësaj konferencë pret rezultate konkrete në luftën kundër krimit transnacional.

“Besoj së gjëja më e rëndësishme gjatë aktiviteteve të kësaj konference duhet të jetë forcimi i komunikimit ndërshtetëror, i cili, duhet të krijojë besim reciprok, respekt ndërkolegial dhe duhet të tregojmë vullnet të mirë për t’iu shmangur në mënyrë absolute tentativave për të qenë të izoluar secili brenda institucioneve të shtetit të vet.  Kjo është arsyeja që jemi mbledhur sot këtu, jemi mbledhur jo vetëm për të shkëmbyer përvojat e ndjekjes dhe hetimit por edhe për të forcuar bashkëpunimin i cili është shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e rasteve të krimeve transnacionale, që ju siguroj që i kemi të shumta dhe të vështira”, ka pohuar kryeprokurori Lumezi

Kryeprokurori shfrytëzoi rastin që në konferencë t’i paraqes edhe të arriturat e Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, krimeve ekonomike dhe rasteve të shënjestruara.

Në këtë konferencë përpos Kosovës dhe Malit të Zi po merr pjesë edhe Bosnja dhe Hercegovina si dhe ekspertë ndërkombëtarë të fushës së drejtësisë.