Foto: Kallxo.com

Lufta për fuqizimin e gruas, kërkohet ndryshimi i Ligjit për Familjen

Në një tryezë të organizuar nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi është diskutuar për Ndryshimin e Ligjit për Familje, dhe saktësimi i dispozitave ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët bashkëshortore.

Në bazë të statistikave të prezantuara nga Inject, vetëm 5% e grave kanë pronë në emrin e tyre,  12.5% e grave janë të punësuara, 10% e bizneseve udhëhiqen nga gratë,  dhe vetëm 3% e kredive për biznes u jepen grave.

Luljeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi tha se përveç dhunës fizike, problem mbetet edhe ajo ekonomike e institucionale.

Ajo shtoi se të gjithë këtë iniciativë për drejtësi dhe barazi e ka filluar pas padrejtësive me të cilat është përballuar ajo në familjen e saj.

“Kam kaluar në sfida të dhunës në familje dhe kam hasur në shumë vështirësi. Kam filluar këto iniciativa në mënyrë që vajza ime pas 15 viteve të mos përballet me të njëjtat probleme si unë”, tha Aliu.

Ndërsa Mexhide Mjaku- Topalli, kryetare e Grupit të Grave Deputete, tha se Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka monitoruar vazhdimisht ligjin për dhunën në familje.

“Ne e kemi monitoruar vazhdimisht ligjin për dhunë në familje dhe kemi parë që ka ngecje në zbatimin e disa neneve në kuadër të ligjit”, tha Topalli.

Ajo shtoi se rol të veçantë në ndryshimin e ligjit të familjes përveç institucioneve ka edhe shoqëria civile dhe mediat.

Ndërsa Anita Schluchter Roth, Zëvendës Ambasadore e Zvicrës në Kosovë tha se disa studime dhe raste individuale tregojnë se gratë kanë probleme që të kenë të drejtat e barabarta.

“Kur flasim për fuqizimin e ligjit në Kosovë është e rëndësishme të përmendim jo vetëm ligjet dhe ndryshimin e tyre por edhe zbatueshmërinë e tyre”, tha Schluchter Roth.

Ajo shtoi se këto ndryshime të ligjit për familjen në një periudhë afatgjate nuk do të jenë të mira vetëm për gratë në Kosovë por edhe për burrat.

Iniciativa për saktësimin e Ligjit për Familjen është pranuar dhe miratuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit për Legjislacion, komisioni e ka proceduar tutje në Qeveri dhe tani pritet që Qeveria ta procedojë në Kuvend për votim.