Policia te shkolla '7 marsi'. FOTO: KALLXO.com

Lirohet nga burgu e dyshuara për therjen e mësueses në Prishtinë

Gjykata në Prishtinë i ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak një të dyshuare për sulm me thikë ndaj një mësueseje në një shkollë të Prishtinës dy ditë më parë.

Në shkollën ‘7 marsi’ në Prishtinë më 30 prill ndodhi një ngjarje e rëndë në të cilën u plagos njëra nga mësueset.

Lidhur me këtë ngjarje Policia ka treguar se viktima ka inicialet V.P dhe është 49 vjeçe. Ajo sipas policisë ka marrë plagë nga thika dhe e njëjta  menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Për rastin në fjalë policia ka arrestuar B.D, një grua 38 vjeçare, të cilës i është konfiskuar thika.

Pas arrestimit të dyshuarës B.D, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë ndaj të dyshuarës, duke kërkuar që të njëjtës Gjykata ti shqiptoj masën e paraburgimit prej një muaji.

Ndërsa sot në Gjykatën e Prishtinës u mbajt seanca dëgjimore dhe pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe dëgjimit të palës mbrojtëse, Gjykata ka marrë aktvendim që ndaj të dyshuarës B.D të caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Të dyshuarës së lartpërmendur Gjykata i ka shqiptuar edhe masën e ndalimit të ofrimit të objektit dhe personave të caktuar.

Mbrojtësi i të dyshuarës, avokati Vahid Halili për KALLXO.com ka thënë se e mbrojtura e tij dyshohet për veprën penale të vrasjes në tentativë ndërsa për motivet për të cilat Prokuroria pretendon se ka mundur të qojnë deri tek kjo ngjarje tragjike, avokati tha se ende nuk i di.