Lirohet i Akuzuari për Sulm Ndaj Delegacionit Serb

I akuzuari për sulm ndaj një delegacioni serb në vitin 2012 është liruar nga të dy pikat e aktakuzës me të cilat e ngarkonte Prokuroria e EULEX-it.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i përberë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendor, e liroi Kushtrim Dakajn nga akuzat që rëndonin kundër tij – rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe dëmtim të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e EULEX-it, Kushtrim Dakaj akuzohej se në prill të vitit 2012 kishte sulmuar në Prishtinë një delegacion nga Serbia në veturën e tyre përderisa ata po qëndronin zyrtarisht në Kosovë për t’i sjellë dokumentet kadastrale, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Dakaj akuzohej se si pjesë e një grupi personash ka gjuajtur me gurë ndaj makinës, të cilës i ishin thyer xhamat, ndërsa pasagjerët kishin marrë disa gërvishtje të vogla. [interaction id=”56cc91eae5be274a1fe1f96d”]

Pas përfundimit te seancës dhe lirimit nga dy pikat e aktakuzës, avokati mbrojtës i te akuzuarit, Afrim Salihaj, deklaroi për KALLXO.com se ndaj klientit te tij Gjykata ka marrë aktgjykim lirues.

“Sot u shpall aktgjykimi nga një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendor kundër akuzës së Prokurorisë Speciale të EULEX-it dhe aktgjykimi u mor në favor të klientit tim, i cili u shpall i pafajshëm nga të gjitha pikat e aktakuzës, të cilat kishin të bënin me rrezikimin e personave ndërkombëtarë në mbrojtje dhe dëmtim të pronës”, tha Salihaj.

Me tej avokati sqaroi së për çka ishte akuzuar klienti i tij.

“Kushtrim Dakaj ishte i akuzuar për dy vepra penale: Për rrezikim të personelit ndërkombëtar në mbrojtje dhe për dëmtim të pasurisë së paluajtshme kundër delegacionit serb më 4 prill 2012, të cilët kishin qenë nën mbrojtje ndërkombëtare dhe ishin për çështje zyrtare në Kosovë, dhe të njëjtit kishin pësuar disa lëndime dhe thyerje të xhamave dhe kjo është arsye pse Prokuroria kishte ngritë aktakuzë”, deklaroi Afrim Salihaj.

KALLXO.com ka raportuar edhe për seancën e kaluar të këtij procesi gjyqësor.

http://kallxo.com/del-para-gjyqit-i-dyshuari-per-sulm-ndaj-delegacionit-serb/