Mirënjohjet për kontributin rreth maternitetit të vitit 1996 | Foto: KALLXO.com

Lindjet e Kohës së Vështirë në Maternitetin e 'Nënë Terezës'

Në manifestimin e 20 vjetorit të maternitetit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa tha që Shoqata Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” dëshmoi angazhim të pashoq, mblodhi rreth vetes njerëz të vullnetit të mirë me autoritet të lartë dhe me ndikim, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë Kosovës.

“Ne sot e shënojmë një përvjetor të një vepre humanitare, historike të një frymëzimi popullor dhe patriotik, të një sakrifice sublime, vepër kjo e cila meriton të shënohet me shkronja të arta në historinë tonë,” tha Kryeministri Mustafa.

Sipas tij, njëzet vjet më parë ishte koha kur njerëzit ndihmonin të varfrit, kur familjet ndihmonin familjet, ndërkaq populli rezistonte falë rritjes së besimit dhe falë ekzistencës morale të lartë.

“Materniteti në Kodrën e Trimave simbolizon lindjen e mbi 10 mijë foshnjave që sot janë burra dhe gra të Kosovës, disa prej të cilëve janë mjeke dhe mjekë në Kosovë-vazhdojnë traditën e shkëlqyeshme të profesorëve të tyre që sot i kemi këtu,” u shpreh i pari i qeverisë, Isa Mustafa.

Don Lush Gjergji, kryetari i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” në këtë manifestim të 20 vjetorit të maternitetit, tha që parimi bazë i Shën Terezës sonë ishte se kudo që jeta është në rrezik aty duhet të jemi edhe ne.

“Ne këtë parim e shndërruam në një betim, as të fikur as të koritur, kështu Shoqata Humanitare e Kosovës u mundua që jetën dhe veprën e Nënës Terezë ta nderojë, popullin tonë dhe të gjithë njerëzit t’i ndihmojë dhe t’i afrojë dhe t’i bashkojë në një solidaritet të pashoq në këto hapësira,” tha don Lush Gjergji.

Në manifestim, mirënjohje iu ndanë Anton Çettës, Sahadete Limanit, Sejdullah Hoxhës, Shaban Svircës, Bedrie Berishës e Ismet Beqirit.

Humanisti i ndjerë Anton Çetta u nderua si ideator  i maternitetit, Sejdullah Hoxha si udhëheqës i tij, Sahadete Limanisi si mjeke-gjinekologe, e Bedrie Berisha si kryeinfermire.

Shaban Svirca mori mirënjohje për lëshimin e shtëpive të tij që u përdorën për maternitet, ndërsa Ismet Beqiri mirënjohjen e mori si përfaqësues i Lagjes “Kodra e Trimave” ku u hap materniteti.

Materniteti i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” u hap në vitin 1996 i përkrahur nga prof.dr.Sahadete Mekuli dhe Shoqata e Gjinekologëve – Obstetërve të Kosovës.

Në atë kohë sistemi shëndetësor dhe arsimor i shqiptarëve të Kosovës zhvillohej nëpër shtëpi private, pasi pushteti i atëhershëm serb largoi nga institucionet personelin mjekësor dhe mësimdhënësit.

Shaban Svirca me familjen e tij ofruan shtëpitë e tyre falas për maternitetin, ndërsa në to u bënë edhe zgjerime dhe përshtatje të objekteve për të krijuar hapësira të nevojshme prej dhomave të thjeshta te sallat e operacionit dhe kujdesit intensiv.

Materniteti zhvilloi punën e vet prej vitit 1996 deri në vitin 1999, kur u mbyll dhunshëm nga pushteti i atëhershëm serb.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri