Çfarë kuptimi ka pasur gjithmonë letërsia ukrainase për Rusinë

Për shekuj me radhë, shkrimtarët ukrainas i kanë shmangur – në mënyrë të fshehtë, të guximshme, satirike – përpjekjet për ta fshirë kulturën e tyre kombëtare.

Më 26 shkurt, raketat ranë mbi Kiev ndërsa ushtria ruse u përpoq të futej në qytet. Gjatë një qetësie në luftime, Tamara Hundorova, një nga kritiket letrare më të shquara të Ukrainës, u ul e qetë para laptopit të saj dhe mbajti një leksion në internet për shkrimtaren moderniste ukrainase Lesya Ukrainka, një poete dhe dramaturge kanonike fin de siècle (e fundshekullit).

Ukrainka shpesh reduktohet në vargjet e saj rinore patriotike, të cilat i lexon çdo nxënës shkolle në Ukrainë. Hundorova, megjithatë, foli për të si një dramaturiste komplekse, një feministe dhe një mendimtare antikoloniale. Kur po e përfundonte fjalimin e saj, ajo psherëtiu dhe tha:

Nuk e mendoja asnjëherë se do të flisja me ju nga Kievi në vijën e parë të konfliktit, se do të flija në dysheme në korridor nga frika e bombave, do të zgjohesha nga tingujt e shpërthimeve, do t’i shikoja fëmijët duke luajtur në strehëza bombash në vend se të luajnë në shesh lojërash. Por unë jam i mahnitur nga guximi i ukrainasve, të gjithë duke u përpjekur t’i ndihmojnë mbrojtësit tanë me një besim dhe një dashuri të tillë. E dini, kjo luftë e Putinit i ka shëndrruar ukrainasit në ukrainas të vërtetë.

Ukrainasit shpesh flasin për nevojën për t’u bërë ukrainas: për ta konsoliduar kulturën, gjuhën dhe institucionet e tyre pas shekujve të dominimit perandorak. Ajo që ukrainasit e shohin si një punë në progres, megjithatë, Rusia e interpreton si dobësi; ajo e sheh Ukrainën si një aksident historik. Në të vërtetë, përpara se t’i urdhëronte tankset e tij drejt Ukrainës, Vladimir Putin kaloi gati një orë në televizion duke u përpjekur t’i bindte rusët se Ukraina nuk ishte gjë tjetër veçse një “anti-Rusi” e krijuar nga Perëndimi në “tokën tonë historike”.

Identiteti kombëtar ukrainas nuk është një aksident dhe as nuk është shpikur nga Perëndimi. Por për shekuj me radhë, ukrainasit kanë luftuar për t’i mbajtur larg përpjekjet për të fshirë kulturën e tyre. Në fillim të shekullit të 19-të, botuesit rusë e pranuan letërsinë ukrainase vetëm nëse ajo ishte etnografike, komike ose apolitike. (Literatura serioze duhej të ishte në rusisht.) Ligjet e njëpasnjëshme në vitet 1863 dhe 1876 çuan në ndalimin efektiv të të gjitha veprave në gjuhën ukrainase, si dhe ndalimin e tyre pothuajse të plotë në mjedise publike. Në vitet 1930, Stalini ekzekutoi një gjeneratë të tërë shkrimtarësh të cilët e  kishin rindërtuar kulturën letrare ukrainase në dekadën e mëparshme, duke e cunguar brutalisht rritjen e pararojës së gjallë të vendit.

Historia e letërsisë ukrainase është një histori sfide përballë arrogancës perandorake. Shpesh, shkrimtarët ukrainas punonin me kujdes brenda limiteve të vendosura nga perandoria ruse për të krijuar njëfarë ngjasimi të kulturës letrare. Ndonjëherë ata përpiqeshin ta shprehnin ukrainasitetin e tyre përmes veprave të shkruara në rusisht. Të tjerët zgjodhën kritikën e drejtpërdrejtë të imperializmit rus – dhe vuajtën për shkak të saj. Të tjerët ende thjesht u tallën me mendjemadhësinë e atyre që synojnë ta bëjnë Ukrainën të duket e parëndësishme.

Askush nuk përdori humor për ta konfirmuar identitetin ukrainas më shumë se Nikolai Gogol (i njohur si Mykola Hohol në gjuhën ukrainase), i cili pavarësisht prejardhjes së tij njihet në botë si rus. Me gjasë duke u frymëzuar nga babai i tij, i cili shkroi komedi popullore në gjuhën ukrainase për një teatër provincial në Ukrainën qendrore, veprat e hershme të Gogolit, të botuara në fillim të viteve 1830, ishin komedi të egra dhe plot ngjyra për jetën në një fshat ukrainas – por ai i shkroi ato në rusisht, për lexuesit në Shën Petersburg dhe Moskë. Në një nga tregimet e tij më të famshme, “Në prag të Krishtlindjeve”, një grup kozakësh ukrainas e vizitojnë Katerinën e Madhe në Shën Petersburg. Në një bisedë komike të mbushur me keqkuptime kulturore dhe gjuhësore, ka edhe shkëndija politike: Kozakët kërkojnë të dinë pse Katerina e shkatërroi autonominë e tyre (një ngjarje e vërtetë që ndodhi në vitin 1775). Por para se ajo të përgjigjet, tregimi kalon i sigurt prapë në territorin komik. Shumë lexues rusë nuk do të kishin parë në këtë takim asgjë më shumë se një shaka në kurriz të kozakëve të thjeshtë, të mahnitur nga madhështia e pallatit dhe perandoresha. Për ukrainasit, kjo nënkuptonte përdorimin e traditës popullore të mashtruesit kozak, i cili refuzon t’i nënshtrohet autoritetit.

Ky mosrespektim ndaj perandorisë ishte themeli mbi të cilin u ndërtua letërsia ukrainase nga mesi e  deri në fund të shekullit të 19-të. Me shkrimtarë të tillë si Ukrainka dhe Taras Shevchenko, poeti kombëtar i Ukrainës, kjo sfidë ishte shumë më e dukshme sesa me Gogolin e jashtëm besnik. Shevchenko kishte lindur një bujkrob dhe e dinte se jetët e fshatarëve nuk ishin aspak si idili i gëzuar i Gogolit. “Po qeshën thellë”, e qortoi bashkatdhetarin e tij në një poezi drejtuar atij, “ndërsa unë duhet të qaj”. Sulmet e Shevchenkos ndaj perandorisë dhe represioni i saj ndaj kombeve minoritare janë të zjarrta dhe pa kompromis. Në poezinë e tij “Kaukazi”, për shembull, ai shkruan: “Nga moldavia në Finlandë/ Heshtja mbahet në çdo gjuhë”. Për këtë qëndrim, Shevchenko u arrestua, u detyrua në shërbimin ushtarak dhe u ndalua të shkruante për 10 vjet.

Ukrainka i sfidoi kufizimet dhe stereotipet perandorake përmes punës që e kritikonte kolonializmin dhe mishëronte idetë feministe. Dramat e saj të vendosura në Spanjë, Trojë dhe Babiloni e sollën kulturën evropiane dhe botërore në një letërsi që ishte detyruar të kalonte në parokializëm*. Disa intelektualë ukrainas e kritikuan atë për injorimin e temës ukrainase. Megjithatë, ajo shkroi një dramë për historinë e Ukrainës, “Gruaja Fisnike” (The Noblewoman), një dramë në vargje e vendosur në shekullin e 17-të pasi udhëheqësi kozak Bohdan Khmelnytskyi nënshkroi një aleancë të famshme dhe fatale me Moskën për ta çliruar Ukrainën nga kontrolli polak. Oksana, një grua kozake që pranon të martohet me një fisnik ukrainas që punon si oborrtar në  Moskë, përpiqet ta sigurojë frikën e saj për jetën në një “tokë të huaj”: “Nuk është dhe aq një tokë e huaj, apo jo? / Ritet fetare janë atje të njëjta, dhe unë / tashmë e kuptoj disi fjalimin e tyre.

Ajo gabon. Në Moskë, Oksana nuk lejohet të flasë me burrat si të barabartë me ta, i bëhet presion ta mbulojë fytyrën në publik dhe nuk mund të dalë e vetme nga shtëpia. E huaja e saj e bën atë objekt kurioziteti dhe moskuptimi. Ajo trajtohet, siç vuri në dukje Hundorova në leksionin e saj nga Kievi i rrethuar, si një objekt ekzotik për t’u parë dhe për të mos u dëgjuar, në të njëjtën mënyrë që kultura ukrainase ishte reduktuar në një stoli shumëngjyrëshe në imagjinatën kulturore perandorake të kohës së Ukrainkës. Oksana bie në depresion, por nuk mund të kthehet në shtëpi, pasi Ukraina është zhytur në kaos dhe konflikt: “Ukraina shtrihet e gjakosur nën çizmet e Moskës / A është kjo ajo që ju e quani “paqe”? Një mbeturinë e shkatërruar?” Mesazhi i shfaqjes se aleanca me Moskën ishte një tragjedi për Ukrainën, kundërshtoi drejtpërdrejt historiografinë zyrtare perandorake dhe nuk u botua dhe as u shfaq deri pas rënies së perandorisë. Është e qartë se botimet sovjetike të veprave të Ukrainka-s gjithashtu e anashkalojnë shfaqjen.

Pas pavarësisë së Ukrainës, në vitin 1991, Ukrainka u bë një frymëzim i madh për një gjeneratë të re shkrimtarësh dhe mendimtarësh, mes tyre edhe Hundorova. Ndërkohë që rrymat globale si post-kolonializmi dhe feminizmi filluan të rrjedhin në Ukrainën e sapodemokratizuar, intelektualët vendas e njohën menjëherë Ukrainkën në këto ide “të reja”. Oksana Zabuzhko, për shembull, një nga romancieret më të njohura të Ukrainës dhe një biografe e Ukrainkas, i eksploroi këto tema në romanin e saj të vitit 1996, Puna në terren në seksin ukrainas (Fieldwork in Ukrainian Sex), bestselleri i parë real i pavarur i Ukrainës, i cili rrëfen romancën e trazuar midis një poeteje femër dhe një artisti mashkull në ditët e para të pavarësisë.

Për protagonisten, ruajtja e identitetit kombëtar dhe rezistimi i rusifikimit nuk janë vetëm çështje politike, por edhe private, intime që diktojnë zgjedhjen e partnerit dhe dëshirën e saj për të pasur një fëmijë:

Dhe ne do të jemi në gjendje ta mbrojmë atë [fëmijën e tyre], apo jo? Zot, sa prej nesh jemi atje gjithsesi, kjo inteligjencë e pakënaqur ukrainase, e frenuar me forcë dhe përgjatë historisë – vetëm një grusht, dhe me kaq të shpërndarë: një specie që po vdes, klane që po vdesin, ne duhet të shumohemi si të çmendur dhe vazhdimisht.

Ashtu sikurse te “Gruaja Fisnike“, gjithsesi, protagonistja femër, e dëshiruar për çlirim personal dhe kombëtar, është e frustruar nga një burrë që nuk mund të dalë nga hija perandorake. Në shfaqjen e Ukrainkës, burri i Oksanës është servil, duke performuar detyrimisht këngë dhe vallëzime ukrainase për argëtimin e carit, ndërsa artisti në romanin e Zabuzhkos është i rrënuar nga një kompleks inferioriteti i njohur për qytetarët e kombeve të dominuara. Në këto vepra, personazhet femra kanë një ndjenjë të fortë të identitetit ukrainas, ndërsa homologët e tyre meshkuj shërbejnë si një paralajmërim kundër pranimit të perandorisë.

Gjatë ligjërimit të saj, teksa fliste për Oksanën e pafat të Ukrainkës, Hundorova papritmas e braktisi tonin e saj të matur akademik. Zëri i saj u bë më urgjent teksa e lidhi përplasjen fatale të kulturave në zemër të Gruas Fisnike, ku Oksana është dorëzuar në objektivizimin pa zë, me luftën e sotme. Refuzimi i Rusisë, gjatë shekujve, për ta perceptuar apo dëgjuar Ukrainën, për të pranuar ekzistencën e Ukrainës sipas kushteve të veta, qëndron në themelin e agresionit të Putinit. Ata në rrugët e Kievit atë ditë mund ta ndjenin manifestimin e dhunshëm të asaj përplasjeje. Megjithatë, siç tregojnë veprat e shkrimtarëve nga Ukrainka deri tek Zabuzhko, dhuna vetëm i frymëzon ukrainasit që të gjejnë mënyra gjithnjë e më të fuqishme, krijuese dhe të pandershme për t’u bërë ukrainas./The Atlantic

*Parokializmi është gjendja shpirtërore, ku njeriu fokusohet në pjesë të vogla të një çështjeje në vend që ta marrë në konsideratë kontekstin e saj më të gjerë.