Kurti vizitë në Ipeshkvinë e Kosovës, bisedojnë për Ligjin për Liritë Fetare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Ipeshkvinë e Kosovës, ku u mirëprit nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në takim ata folën për Ligjin për Liritë Fetare, për bashkëpunimin e ndërsjellë, për kontributin e Kishës Katolike për paqe midis njerëzve dhe bashkim të njerëzve, dhe për nevojën e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike në Kosovë.

Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi udhëheqësit e Ipeshkvisë së Kosovës për bashkëpunimin e afërt, kontributin e vazhdueshëm, dhe rolin e rëndësishëm të tyre.

Ata gjithashtu thuhet se biseduan edhe për vizitën e fundit që kryeministri Kurti zhvilloi në Vatikan, ku u prit nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Paroli.

Kryeministri ndau me Ipeshkvin, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji mbresat e tij nga vizita në Vatikan dhe nga takimi me shenjtërinë e tij, Papa Françesku.