Nexhmedin Spahiu, Prof.Dr.

Rrënimi i objektit të Teatrit Kombëtar Shqiptar si gjest antikosovar

 

 

Fati e deshi që në moshën 18-vjeçare shërbimin e detyrueshëm ushtarak ta bëja në Beograd. Për një të ri të lindur në Mitrovicën, njëqindmijë banorëshe, Beogradi dymilionësh  ishte metropol i vërtetë. Ideja se Beogradi ishte sa 20-fishi i Mitrovicës më bënte shumë  përshtypje. Shfrytëzoja çdo mundësi daljeje në qytet për ta njohur çdo cep e çdo rrugë e rrugicë të Beogradit. Vezullimet e ndërtesave gjigante, rrugëve të gjëra, veturave, trenave e tramvajeve, stadiumeve të mëdha e kinemave të pafundme, më zgjonin kureshtjen pandërprerë.

Rruga e Shkodrës në Beograd

Në Beogradin vezullonjës më në fund e gjeta, dhe atë mu në qendër të qytetit një rrugë të paasfaltuar me shtëpi të vjetra, e shtruar me kalldrëm të vjetër 200 vjeçar. Quhej “Skadarska ulica” (rruga e Shkodrës). Me logjikën e një nacionalisti shqiptar gjeta ngushëllim se as Beogradi nuk na qenka krejtësisht i rregulluar.

Kur pas një viti, mbarova shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe u ktheva në Mitrovicë, fqinjët e mi serbë, më pyesnin se si dukej Beogradi dhe unë u tregoja atyre për rrugën e Shkodrës si për një rrugë koti; me kalldrëm të vjetër e shtëpi e kafene të vjetra. U thosha se nuk mund të krahasohej me rrugën e lagjes sonë në Mitrovicë, që quhej “Xhon Kenedi”. Rruga e jonë ishte asfaltuar dhe gjithë pallatet ishin të reja e shumëkatëshe pa asnjë shtëpi të vjetër.

Ky tregim i imi zgjati derisa në një moment fqinjët e mi pyetën një profesor e qytetar të vjetër serb nëse unë po flisja të vërtetën për rrugën e Shkodrës në Beograd. Profesori u tha: po kjo është e vertetë për sytë dhe mendjen e një shqiptari të cilit të dy prindërit i kanë lindur në fshat. Përndryshe rruga e Shkodrës në Beograd, është rruga më e bukur e më çmuar në Jugosllavi e ndoshta edhe në Evropë.

U desh që unë të shëtis gjithë Evropën, të studioj e të qytetërohem që të kuptoj se rruga e Shkodrës në Beograd është pjesa më e bukur e më e çmuar dhe natyrisht më e shtrenjta e Beogradit.

Tani sa herë që shkoj në Beograd nuk është më vetëm emri “e Shkodrës” që më ngrohë. Duke shëtitur në këtë rrugë me shtëpi të shekullit XIX, me kalldrëm të shekullit XIX, me rrymën elektrike të instaluar në shekullin XX, me pemë me mosha të ndryshme të mbjella në shekujt XIX, XX e XXI, të krijohet ndjenja se ti po i jeton 3 shekuj përnjëherësh. Në këtë rrugë, në pozicion meditues qëndron përmendorja e poetit të madh serb Gjura Jakshiq (1832-1878) para shtëpisë së tij origjinale të mirëmbajtur me kujdes. Të shkon ndërmend se në po këta gurë do të ketë shëtitur para gati 200 viteve poeti serb, dhe rrapet gjigande të shtyjnë të mendosh se cili prej tyre ka moshën që poeti mund të ketë pirë kafenë nën hijen e tij, dhe të nxitë që edhe ti të ulesh e të pishë një kafe.  Është një ndjesi që vetëm një njeri i qytetëruar mund ta përjetojë. Një fshatar nuk e ndjenë dot. Një fshatar do t’i hipte ekskavatorit dhe aty do të ngrente qendra biznesi e pallate.

Serbët të kujdesëshëm ndaj trashëgimisë së vet, shkatërrues të trashëgimisë së të tjerëve

Natyrisht, rruga e Shkodrës nuk është e vetmja trashëgimi kulturore në Beograd. Aty është kështjella e Kalemegdanit të cilën e pushtoi  Sulltan Sulejmani i Madhërishëm më 1521, por edhe çdo pallat i ndërtuar qëkur Serbia fitoi autonominë (1830) nën Perandorinë Osmane e sidomos pas pavarësisë më 13.07.1878.

Ndërtesa e Bashkisë së Beogradit është ish- selia e mbretërve serbë. Ballkoni ku kryebashkiaku i Beogradit soditë qytetin, është po ai nga ku oficerët komplotistë hodhën trupat e coptuar me thika të mbretit Aleksandar Obrenoviq dhe gruas së tij Draga Mashin më 1903. Varri i Josip Broz Titos, kroatit komunist, që udhëhoqi shtetin e serbëve të quajtur Jugosllavi, është poaty.

Fqinji ynë, Serbia, që në përmasat evropiane e botërore konsiderohet një vend barbar del të jetë për ne shembull kulture e civilizimi. Barbaria e saj u dëshmua në Kroaci, Bosnje dhe sidomos në Kosovë. Nga 142 xhamitë që kishte Beogradi në fillim të shekullit XIX tani ka ngelur vetëm një. Por sa i përket trashëgimisë ekskluzive serbe, mbi të, as dy dinastitë mbretërore serbe, as diktatori komunist Tito, as diktatori fashist Sllobodan Millosheviq, e as diktatori aktual Vuçiq, nuk guxuan të vënë dorë.

Fqinji ynë tjetër, Italia

Fqinji ynë tjetër Italia, përjetoi diktaturën fashiste dhe qindra qeveri, por asnjë nga këta nuk vuri dorë mbi Koleseumin apo objektet tjera në qendër. Sikur Benito Musolini me gjithë delirin e tij, të vënte dorë në pallatin ku u vra Jul Cezari, jo vetëm për të përfituar para që i duheshin për pushtimet e tij, po edhe për të ndërtuar famën e tij duke nëpërkëmbur Cezarin?. Por, nuk e bëri. Sot turistët nga mbarë bota mund të shkelin në po ata gurë ku pikoi gjaku i Cezarit.

Izraeli e Palestina – kujdesi ndaj trashëgimisë së vet, por edhe ndaj trashëgimisë së tjetrit

Në gusht të vitit 2000 isha i ftuar në një konferencë 1 javore në Izrael e Palestinë (Tel Aviv, Jerusalem, Ramallah, Hebron e  Betlehem). Në Betlehem, mund të prekje me dorë grazhdin ku ka lindur Jezu Krishti 2000 vjet më parë. Në Jerusalem mund shkelje në po të njëjtët gurë ku ka shkelur mbreti Solomon e mbreti David 3000 vjet më parë. Por aty nuk ishin vetëm gjërat antike, kishat, xhamitë e sinagogat që qëndronin bri njëra tjetrës, po edhe historia më e re. Objektet që lidheshin me themeluesin e shtetit izraelit David Ben-Gurion (1886-1973) dhe atë të shtetit palestinez Jaser Arafat (1929-2004) ishin po aty. Hebrenjtë dhe arapët, luftonin pa mëshirë njëri tjetrin, por trashëgiminë historike të tjetrit e ruanin si të tyren.

Kur pjesëmarrësit e tjerë të konferencës nga mbarë bota na pyesnin mua e Skender Sadikun se çfarë kemi ne shqiptarët nga trashëgimia kulturore antike e mesjetare, Skenderi shmangte përgjigjen me humor. Thoshte se ne shqiptarët aktualë jemi vetë antika, e mesjetën e kemi të ardhme të afërt, e sa i përket modernitetit, kjo është e ardhmja e jonë e largët, nuk dihet nëse planeti Tokë do të ekzistojë deri atëherë që ne ta përjetojmë atë.

Katedralja e Notredamit dhe Teatri Kombëtar Shqiptar

Skena e rrënimit të objektit të Teatrit Kombëtar Shqiptar më përkujtoi shakatë e Skender Sadikut në Jerusalem e Betlehem. Mesjetën obskurantiste e kemi para nesh. Reagimet e disa njerëzve të pasherr në Kosovë në kuptimin se çfarë kanë këta njerëz që po protestojnë për një objekt të vjetër që kund armaturë nuk kish patur, të tregojnë mentalitetin bizar joqytetrues. Flasin sikur Katedralja e Notredamit kishte ndonjë armaturë. Njerëz që nuk e kuptojnë vlerën e trashëgimisë kulturore, më kujtuan veten time 18 vjeçar dhe mendimin tim bizar si një fshatar primitiv për rrugën e Shkodrës në Beograd.

Arsyetimi i kryeministrit Edi Rama, se objekti i Teatrit nuk ka qenë në listën e vlerave të trashëgimisë kulturore është tepër cinik. Po kush u dashka ta fus në listën e trashëgimisë kulturore një objekt në mos vetë qeveria e vendit? Tërmeti i vitit 2019 i bëri të pabanueshëm në Tiranë, rreth 550 shtëpi e rreth 450 pallate (të kohës së Enverit, Berishës dhe të kohës kur vet Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës), por objekti i Teatrit Kombëtar Shqiptar mbijetoi. Por ja që edhe mund të shembej nga tërmeti. Çfarë do të bënte një qeveri normale në këtë rast? Do ta restauronte mu ashtu siç ka qenë. Kjo do të kushtonte më shtrenjtë se sa të ndërtohet një objekt i ri, por një objekt i ri nuk mund ta ketë vlerën e të vjetrit. Vlera e qytetit Oxford në Angli nuk qëndron në atë se aty ka pallate të reja moderne (të cilat natyrisht se i ka), por qëndron tek fakti se ka pallate të vjetra me shekuj e madje rrugë të tëra të pandryshuara me shekuj.

Katedralja e Notredame dhe Teatri Kombëtar Shqiptar

Tani ndokush do të thotë se vlera e objektit të Teatrit Kombëtar me histori 80 vjeçare nuk mund të matet me objektet e teatrove qindravjeçare të Londrës e Parisit. Sigurisht, por ne atë kishim. Nuk kemi teatër më të vjetër funksional se ky që u rrënua. Një objekt nuk mund të ketë histori 800 vjeçare  nëse rrënohet në moshën 80 vjeçare. Ai ishte historia e jonë.

Shtrohet pyetja përse Edi Rama guxoi ta bënte atë çfarë politikanë më të fuqishëm se ai nuk guxuan ta bënin? As Musolini, as Hitleri e as Stalini? Apo edhe më thellë. Përse vetëm politikanët shqiptarë guxojnë të bëjnë hapa të tillë? Stalini ishte komunist e ateist njësoj si Enver Hoxha, por ai nuk pati guxim të rrënonte kishat e xhamitë.

Për çdo njeri që sado pak merr vesh nga politika shqiptare në post-komunizëm është e qartë se rrënimi i objektit të Teatrit Kombëtar është bërë për të përfituar shesh ndërtimi e mundësi abuzimi nga pasuria publike. Këtë topi nuk e luan. Fakti që tani mohohet ideja e partneritetit publiko-privat është vetëm një sajesë sa për të qetësuar gjakrat. Por mundësitë abuzive janë të pafundme edhe sikur mos të ketë një partneritet të tillë.

Grykësia, ideologjia dhe deliri

Por këtu ka edhe një segment tjetër. Ai ideologjik dhe personal. Përse ta zëmë nuk u rrënua Pallati i Kulturës?. Edhe aty mund të bëhej partneritet publiko-privat dhe mundësi abuzimi. Por, jo. Jo sepse Pallati i Kulturës i takon trashëgimisë enveriste. Edi Rama nuk rivalizon Enverin. Enverin e rivalizonte Sali Berisha, andaj Berisha donte ta rrënonte Piramidën e Enverit, por u mat e u çmat, dhe nuk pati guxim ta bënte.

Edi Rama edhe pse zyrtarisht i kundërshton figurat e Luftës së Dytë Botërore, në fakt i xhelozon ato së tepërmi. Sado që këto figura u anatemuan për 45 vite, prap se prap ato në ndërdijen e shqiptarëve ngelën të paarritshme si për politikanët e komunizmit si për ata post-komunistë.

Objekti i Teatrit i projektuar nga Mbreti Zog, u ndërtua gjatë kohës së italianëve, por tek pas kapitullimit të Italisë, u përurua si Teatër Kombëtar Shqiptar me emrin Kosova. Përurimin e bëri vet kryeministri i Shqipërisë, Rexhep Mitrovica (1943-44), . Për dallim nga Edi Rama që qeverisë me 28 mijë km2, Rexhep Mitrovica qeveriste me një Shqipëri dyfish më të madhe, nga Konispoli e deri në Sanxhak të Novi Pazarit, përfshi Kosovën, Maqedoninë Perendimore e Jugun e Malit të Zi.

Rexhep Mitrovica (1888-1967) ishte intelektual i kalibrit të lartë që kishte nënshkruar deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28.11.1912, që e kishte propozuar Ismail Qemal Vlorën për kryeministër të Shqipërisë, që kishte organizuar arsimin shqip si ministër i parë i arsimit i shtetit shqiptar dhe që tani si kryeministër po përuronte edhe Teatrin Kombëtar Shqiptar.

Shteti shqiptar akoma nuk e ka rehabilituar figurën e Rexhep Mitrovicës dhe Edi Rama mund të vazhdojë ta injorojë atë apo edhe ta quajë tradhtar, por ai në ndërdijën e tij e xhelozon atë. Gjatë gjithë trazirave rreth Teatrit Kombëtar emri i Rexhep Mitrovicës nuk u përmend askund, por ai nuk mund të shmanget. Shqipëria zyrtare mund ta konsiderojë kuisling e tradhtar Rexhep Mitrovicën, por ai është i dekoruar zyrtarisht si hero nga Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Të rrënosh një objekt historik që ndërlidhë Kosovën e Shqipërinë, siç ishte objekti i Teatrit Kombëtar Shqiptar, është çështje e brendshme e Shqipërisë, për shkak se objekti ndodhet në territorin e Shqipërisë, por në secilin rast nuk mund të mos konsiderohet si gjest antikosovar.