Limaj: Qeveria të Hapë Rrugë për Zgjedhje

Në konferencë u fol për vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth Asociacionit të Komunave Serbe që u bë publik dje.

Kryetari i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri tha se kushtetuesja vërtetoi atë që po e thotë opozita.

“Për 4 muaj rresht ne bashkë me qytetarët e kemi thënë atë qe dje u vërtetua e u tha nga kushtetuesja. Për ne marrëveshja për ‘zajednicën’ është e anuluar. Edhe demarkacioni ka shkelje dhe duhet të anulohet,” tha Ymeri.

Ai kërkoi dorëheqjen e krerëve të koalicionit qeveritar.

“Isa e Hashimi kanë bërë shkelje flagrante të kushtetutës. Ne kërkojmë dorëheqjen, a largimin urgjent të tyre. Nuk do ta lejojmë që klika Thaçi-Mustafa ta vazhdojë rrënimin,” tha Ymeri.

Nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi kërkoi lirim të deputetëve të burgosur.

“Menjëherë duhet të lirohen të gjithë deputetët që padrejtësisht mbahen në paraburgim. Kjo qeveri përfundimisht të shkojë në shtëpi se ka shkelur kushtetutën e interesat e integritetin e vendit,” tha Ahmet Isufi.

Ndërsa kreu i Nismës Fatmir Limaj kërkoi zgjedhje të reja.

“Kosova nga dje ka një moment të ri juridiko-politik. Kushtetuesja tha qe parimet [e asociacionit]kanë shkelur kushtetutën. Momenti për të dalë nga kriza ëshhtë zbatimi i vendimit të kushtetueses, e hapi i parë është dorëheqja e qeverisë. Kjo qeveri s’ka legalitet e as legjitimitet për të qeverisur. Kjo qeveri do të njihet si shkelëse e kushtetutës dhe duhet të hapë rrugë për zgjedhje,” tha Limaj.

Ai shtoi se protesta opozitare e paralajmëruar për 9 janar mund të jetë edhe festive, duke e lidhur këtë fjali me dorëheqjen e mundshme të qeverisë.

Sot në mbledhjen e qeverisë për vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese folën kryeministri Mustafa, zëvendësi i tij Thaçi dhe ministra tjerë.

Thaçi e Mustafa bënë thirrje që të kthehet normaliteti në Kuvend e vend, pas vendimit të kushtetueses.

http://kallxo.com/qeveria-kushtetuesja-vendosi-tash-normaliteti/