Limaj: Dialogu nuk është çështje e numrave, por e nevojës

 

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka kritikuar gjendjen momentale të Kuvendit, ku po diskutohet se sa pika duhet të përfshijë rezoluta  e propozuar nga opozita për dialogun me Serbinë.

Limaj, i cili është edhe propozues i Qeverisë për ta udhëhequr ekipin negaciator në dialog, tha se ky proces nuk është çështje numrash, por e nevojë që kjo të përfundojë.

“Tash e shtatë vite Kuvendit vetëm ka kukatur për dialogun. Prandaj u bëj apel që kjo situatë të shërbejë që të dalim me një produkt që parlamenti i Kosovës nxjerr pikat çka është e paprekshme dhe çka mund të diskutohet”, tha Limaj.

Zëvendëskryeministri shtoi se për temën e dialogut duhet angazhuar edhe ekspertë dhe njerëz jashtë Kuvendit.

“Tash e 7 vite për këtë temë  parlamenti është kthyer në arenë të diskutimeve, përplasjeve dhe të garës mes vete se kush është më patriot dhe çdo herë këto seanca kanë përfunduar pa rezultat. Na duhet shumë energji, ekspertizë dhe përvojë.

Pak janë edhe 120 vetë këtu në Kuvend. Na duhen ekspertë jashtë parlamentit të dalim faqe bardhë para qytetarëve”, tha Limaj.

Kuvendi sot po diskuton për rezolutën e propozuar nga opozita, kundër ideve të presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.