LDK-AAK, Partnere në Gjilan, Rivale në Qeverinë Qendrore

Haziri e Kadriu koordinojnë punët në nivelin lokal meqë partitë e tyre, LDK e AAK, përbëjnë koalicionin qeverisës të Gjilanit.

Por në nivelin qendror, LDK dhe AAK përbëjnë dy blloqe të kundërta.

LDK tash e një vit po qeveris me PDK-në, përderisa AAK është bërë pjesë e bllokut opozitar me Vetëvendosjen dhe NISMA-n.

Duke qenë pjesë e opozitës në nivelin qendror, Rexhep Kadriu i AAK-së doli sot para protestuesve për ta kritikuar qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa i LDK-së për marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe me Malin e Zi.

“Dy marrëveshjet po e rrezikojnë shtetin e Kosovës. Nuk duhet ta lejojmë shtetin e Serbisë të hyjë në Kosovë”, tha Kadriu ndër të tjera, kur doli para masës së protestuesve për të folur kundër marrëveshjes me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Por i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, nëse jo nga paraqitja e nënkryetarit të tijnë protestë, është ndarë i kënaqur nga mbarëvajtja e protestës.

Lutfi Haziri është edhe nënkryetar i kryesisë qendrore të LDK-së.

“Për mua rëndësi ka e drejta qytetare për protestë. Gjilani protestoi në mënyrë paqësore ashtu siç është paqësore si popullatë. Jam krenar me ta! Sa i përket AAK-së së Gjilanit dhe pjesëmarrjes në organizimin e protestës, ata janë pjesë e pandarë e AAK-së dhe unë e respektoj këtë”, tha Haziri për KALLXO.com

Por qëndrim më të rreptë kundër Kadriut ka mbajtur Arbër Ismajli, shef i kabinetit të Hazirit në komunë, dhe anëtar i degës së LDK-së në Gjilan.

Ismajli tha sot në një postim në Facebook se LDK duhet ta rishikojë bashkëpunimin në nivel komunal me AAK-në.

“LDK, duke besuar thellë në sinqeritet dhe besnikëri, krijoi partneritet me AAK, në Gjilan, por ky besim i dhënë u keqpërdor nga ta dhe LDK si parti institucionaliste s`mund të lejojë që në bashkë qeverisje të ketë partneritet me anarkistë dhe me njerëz që luajnë me standarde të dyfishta”, tha Ismajli.

“Në këtë situate, lind pyetja se kjo e shtune e madhe (vlerësim ky i të parit të AAK-së) a duhet të jetë dita kur LDK në Gjilan t`ia japë udhët AAK-së së vogël, e cila tenton të keqpërdorë besimin e 26000 votuesve të LDK-së, dhe LDK si parti shtetformuese një here e përgjithmonë t`i japë mësime të padiciplinuarve që të mësojnë rendin e demokracisë”, u shpreh ai.

Ismajli mendon se AAK “po tregon muskuj” para LDK-së në Gjilan.

“Lojës së pandershme dhe me dy fytyra të të parit të AAK-së, në Gjilan, sot duhet dhënë fund, nëse ata kanë zgjedhur të jenë opozitë, hajrin ia pafshin por jo nën petkun institucional të krijojnë mjegull në oborrin tonë”, ka shkruar në Facebook shefi i kabinetit të Lutfi Hazirit.