Seanca e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Kuvendi Ratifikon Marrëveshjen Financiare me BE-në

Në seancën e sotme të Kuvendit partitë opozitare AAK e Nisma u kthyen në Kuvend për të votuar ratifikimin e Marrëveshjes Financiare të Fondeve të Paraanëtarësimit (IPA) 2015 me BE-në.

Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” munguan në seancë, ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri e kritikoi këtë veprim.

“Në këtë pako janë edhe 33 milionë euro për energji, e 1 milion me ngrohjen në Prishtinë e Gjakovë. E le ta dinë qytetarët e Prishtinës, se ktyne zotnive të ‘Vetëvendosjes’ mas pakti ua nin për Prishtinën. Kallxon nivelin e përgjegjësisë institucionale. Rrezikojnë me ia humb vendit, po edhe Prishtinës, rrezikojnë me ja hup këto milionë euro,” tha Beqiri.

Pas fjalëve të Beqirit, arsyen e ardhjes për të votuar këtë projektligj e shpjeguan deputetë të AAK-së e Nismës.

Siç çdoherë e kemi dëshmuar, atëherë kur është diçka e mirë për vendin do të jemi përkrahës në të gjitha proceset. E kemj bërë për ‘Trepcën’, AAK do të jetë mbështetës i fuqishëm në proceset e vendit- do ta kundërshtojmë të keqen,” tha Pal Lekaj.

Edhe deputetja e Nismës Valdete Bajrami tha se ky subjekt voton për të mirën e vendit, por ia tërhoqi vërejtjen pozitës që jo gjithherë i ka numrat e nevojshëm për votim.

“Edhe Nisma çdoherë i ka përkrahur projektet e rrugën drejt BE-së, po duhet ta ketë parasysh edhe pozita që çdoherë nuk po kryjkan punë numrat e tyre,” tha deputetja Bajrami.

Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nevojiteshin votat e dy të tretave të deputetëve.

Por deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli nuk u shfaq e emocionuar nga votimi i AAK-së e Nismës.

Pushteti e opozita ka obligim për qytetarët e Kosovës. Pse duhet me duartrokitë që opozita po bon diçka për qytetarët e Kosovës. Këto jon sjellje joserioze,” tha Tërmkolli.

Pas votimit të marrëveshjes, deputetët e AAK-së e Nismës lëshuan seancën.

Këta deputetë, bashkë me ata të “Vetëvendosjes” dje u larguan nga Kuvendi, pas refuzimit të debatit për vdekjen e Astrit Deharit.

http://kallxo.com/opozita-leshon-seancen-e-kuvendit/

Më herët gjatë mbledhjes, Kuvendi nuk arriti të votojë ndryshim-plotësimet e Projektligjit për Kodin e Procedurës Penale, edhe pse ky projektligj u nxor në votim katër herë.