Në 20-vjetorin e protestave studentore, Albin Kurti me bashkëpunëtorë nderon jetën dhe veprën e rektorit të ndjerë Ejup Statovci - Foto: Facebook

Kurti Vlerëson Lartë Figurën e Rektorit Statovci

Në 20-vjetorin e protestave studentore kundër regjimit serb, njëri prej drejtuesve të atëhershëm të lëvizjes studentore, Albin Kurti, ka kujtuar rektorin e asaj kohe të Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Ejup Statovcin, i cili ishte në ballë të demonstratave të 1 tetorit 1997.

“Prof. Statovcin e kujtojmë me mall, jo vetëm ne që e kemi njohur, por kushdo që ka lexuar për figurën e tij. Është mall për njeriun e përkushtuar ndaj dijes e përhapjes së saj, edhe nën okupimin brutal, sot në kohën e lirisë kur universitetin po e degjenerojnë njerëz të korruptuar e shërbëtorë të territ”, ka thënë Kurti në një postim në “Facebook”, të cilin e ka shoqëruar me fotografi nga vendosja e kurorës me lule te varri i rektorit të ndjerë.

Për profesorin Statovci, Kurti ka thënë se gjithë jetën e kaloi i dedikuar për studentët dhe lëndët e tij.

“Por jo vetëm kaq. Në periudhën më të vështirë, kur shumëkush i nivelit të tij u largua drejt sigurisë tjetërkund, shkencëtari i përmasave ndërkombëtare, Ejup Statovci, zgjodhi të rrijë në Prishtinë e të angazhohet në rifillimin e universitetit pasi që studentët e mësimdhënësit shqiptarë u dëbuan në qershor të vitit 1991”, theksoi ai.

Edhe nën okupim e apart’heid, me prof. Ejupin në krye, Universiteti i Prishtinës ishte Universitet i Republikës së Kosovës, shtoi Kurti.

“Në çdo dokument të tij kështu shkruhej, në çdo fjalë të tij kështu thuhej. Ai e ruajti pavarësinë e universitetit gjë që ishte vendimtare për protestat e studentëve të cilat do të pasonin e në ballë të së cilave do të vihej vetë prof.Ejupi”, ka theksuar po ashtu njëri prej liderëve të lëvizjes studentore të fundviteve ’90.

Ai ka bërë thirrje që të mos harrohen kurrë datat e njerëzit tanë historikë.

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës ka vdekur në vitin 1999.