Kurti: 20 vjet pas çlirimit, Kosova mbetet shtet i dobët

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se 20 vjet që nga çlirimi, Kosova mbetet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale.

“Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një duzine mujsharësh e tajkunësh”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka shtuar se me Marrëveshjen e Kumanovës kanë përfunduar bombardimet e NATO-s, sepse u vendos që të gjitha forcat serbo-jugosllave do të tërhiqen nga Kosova deri më 20 qershor 1999, ndërkaq, nga ana tjetër, u vendos Zona e Sigurisë Ajrore prej 25 km dhe Zona e Sigurisë Tokësore prej 5 km rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndalohet hyrja e forcave të kësaj të fundit.

“Kur Serbia i ka okupuar trojet shqiptare para më shumë se një shekulli në Luftën e Parë Ballkanike, festën e ka rezervuar atëherë kur e ka pushtuar Kumanovën. Sot janë mbushur 20 vjet nga Marrëveshja Tekniko-Ushtarake midis Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Federatës Jugosllave dhe Serbisë e nënshkruar në Kumanovë”, ka thënë Kurti.