Kurdisja e ndeshjeve në bastore, arrestohet shkodrani

Mëngjesin e sotëm u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurise “Arrest ne Burg” për shtetasin: N. H., 35 vjeç , lindur Shkodër.

Ai ishte person i shpallur në kërkim në shtator 2018, gjatë operacionit “OAZ”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror.

Ai u kap në një banesë të marrë me qera në zonën e Komunës së Parisit Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm nga Njësia Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Njësia Hetimore Qendrore për të lokalizuar vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ka bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shkodër.

Gjatë veprimeve proceduriale u sekuestrua nje automjet “BMW Seria 3”.

Materialet proceduriale shtesë iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.