Kuçi: Mandati i EULEX-it me Ndryshime

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mandatin e EULEX-it.

Ministri Kuçi tha se vazhdimi i mandatit të këtij misioni ka ardhur pas shumë negociatave dhe kanë arritur që ta vazhdojnë për së paku edhe dy vjet.

Kuçi ka shtuar se mandati i ri ka kompetenca të tjera. Rastet në zhvillim, sipas tij, do të mbesin në kompetencë të EULEX-it ndërsa rastet e reja do t’i marrin në koordinim me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe institucionet tjera të drejtësisë.

“Kemi pasë një orientim pozitiv sa i përket ushtrimit të sovranitetit të institucioneve tona po njëkohësisht edhe sa i përket shfrytëzimit të ekspertizës së prokurorëve gjyqtarëve dhe hetuesve të EULEX-it”, tha Kuçi.

“Mandati i ri i ka disa kompetenca pak më ndryshe se herëve të tjera. Rastet në zhvillim ato do të mbesin kompetencë e EULEX-it ndërsa, rastet e reja do të jenë në pajtueshmëri me kërkesë të dyanshme. Fillimisht nga institucionet vendore dhe ato të EULEX-it, në pajtueshmëri dhe votim në Këshillin Gjyqësor respektivisht Prokurorial apo autoriteti kompetent i EULEX-it mund të bëjë një kërkesë të tillë në procedura të njëjta”, theksoi Kuçi.

Kuçi është shprehur i bindur se do të rritet përgjegjësia e institucioneve vendore dhe nuk do të ketë hendek në drejtësi. Ai pret që misioni i EULEX-it të kalojë ndonjë ditë në monitorim nga Komisioni për Integrime Evropiane.

Ndërkaq, gjatë raportimit Kuçi tha se kanë qenë të fokusuar në riorganizim të sistemit të drejtësisë që nga viti 2013. Ai tha se është ngritur niveli i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

“Në fushën e infrastrukturës ligjore jemi fokusuar në fushën civile, dhe kemi kërkuar edhe ndihmën e ekspertëve”, u shpreh Kuçi.

Kuçi më tutje ka shtuar se është ngritur niveli i pavarësisë së zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke bërë ndryshime në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial.