Hajredin Kuçi - PDK - 03.02.2020

Kuçi - Kurtit: Do të keni telashe, përballë ke një opozitë që në ADN ka UÇK-në

Është duke vazhduar seanca për votimin e qeverisë Kurti, e ndër më të zëshmit në këtë seancë janë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

 

Hajredin Kuçi deputet nga radhët e PDK-së, tha që Kurtit do t’ia mësojnë sesi duhet të sillet opozita.

“Orvatja ime më shumë do të jetë me z. Kurti për t`i dhënë leksione sesi duhet të sillet në opozitë edhe mirë edhe keq dhe tash e ka një shans me e pa atë çka ka qenë keq”, tha ai.

Madje Kuçi u përkujdes që t’ia përmend se pse e ka të vështirë Kurti me PDK-në në opozitë.

“E di që në veçanti do ta kesh një telashe të madhe se opozitë kësaj radhe ke gati ata që e kanë ADN UÇK-në dhe ata nuk janë shumë të mirë me vepru, por me reagu janë të shkëlqyeshëm”, theksoi ai.

Kuçi nuk kurseu kritika edhe për diskursin politik, me ç’rast e sugjeroi Kurtin që t`i ‘disiplinoj’ eksponentët e tij.

“Prej vitit 2014 e tutje ka rrëshitë diskursi politik në Kosovë, nuk ka mbet kush në këtë vend burrë ose grua e mirë, kush ka qenë në politikë. Të gjithë në PDK nuk janë engjuj e të gjithë nuk janë dreqër, e njëjta është në VV, LDK, andaj disiplinoi ata që i ke në Vetëvendosje”, theksoi Kuçi.

Sipas Kuçit, Kurti vazhdimisht ka punuar në tri drejtime, njërën nga to e sugjeroi që ta largoj, ndërsa për dy të tjerat tha që të vazhdoj t`i mbajë.

“Z. Kurti hiqni dorë prej ekstremizmit, popullzimin përdore se jeni parti, nacionalizmin mos hek dorë, deri të zgjidhet problemi me Serbinë. Nuk ju njohin njerëzit për ekonomistë, por ju njohin sepse përmes juve do të mbrohet kauza kombëtare”, vazhdoi ai.

Sipas deputetit të PDK-së, koalicioni i shpresës i ka para vetës dy rrugë.

“Ju i keni dy rrugë, rruga që të jeni shpresë për qytetarët ose shpresë për opozitë, unë dua që të jeni për qytetarët por rruga dy mujore ka treguar që jeni shpresë për opozitën”, theksoi Kuçi.

Limaj- Kurtit: Ule kokën, mësoje se si funksionon shteti!