Mbledhja e Këshillit Shtetëror të CIlësisë - 15.07.2019

KShC: Publiku po manipulohet, vendimet tona po përdoren për lojë politike

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka dalë me komunikatë për të sqaruar vendimet që ata kanë marrë për mosakreditim institucional ndaj tri universiteteve publike dhe katër kolegjeve private.

Në komunikatën e KShC-së thuhet se janë të shqetësuar për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të KShC-së për lojë politike.

Ata thonë se vendimet e KShC-së janë në funksion të garantimit të cilësisë në arsim dhe mbrojtjes së familjeve dhe fëmijëve të tyre nga programe dhe institucione me cilësi të kontestueshme dhe larg standardeve evropiane.

“KShC garanton qasje të studentëve në arsim cilësor dhe premtues për zhvillim shoqëror në Kosovë, të krahasueshëm me vendet evropiane. Jemi të përkushtuar të rezistojmë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendim-marrjen e KShC-së. Çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do të denoncojmë në institucionet e drejtësisë.”, deklaruan KShC.

Ky këshill me tej ka sqaruar se universitetet publike dhe kolegjet private që nuk kanë marrë vlerësim pozitiv për akreditim, nuk do të mund të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2019-2020.

Pra, nuk do të mbyllen, por do t’i nënshtrohen sërish procesit të ri-akreditimit institucional.

“Studentët aktual vazhdojnë studimet në programet e akredituara. Shpresojmë se këto vendime do të ofrojnë bazë për reflektim dhe veprim të IAL-ve për përmbushjen e standardeve për akreditim”, thuhet në komunikatë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka sqaruar procesin e vlerësimit të universiteteve publike dhe kolegjeve private, të cilat vlerësohen në bazë të standardeve evropiane të cilësisë në arsim të lartë.

“AKA ka një sërë standardesh të bazuara në European Standard Guidelines 2015 –Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë 2015, që synojnë garantimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë, konform standardeve evropiane. Këto standarde përfshijnë akreditimin institucional të IAL-ve dhe programeve të studimit.”

KShC tutje ka sqaruar se në të parën janë 11 standarde, të cilat përfshijnë misionin publik dhe objektivat institucionale, planifikimin strategjik, qeverisjen dhe administrimin, planifikimin dhe menaxhimin financiar, integritetin akademik, përgjegjësinë publike, menaxhimin e cilësisë, mësimin dhe mësimdhënien, hulumtimet, stafi, proceset e punësimit dhe zhvillimi profesional, administrimin e studentëve dhe shërbimet mbështetëse, burimet e mësimit dhe objektet, si dhe bashkëpunimin institucional.

Ndërkohë që në të dytën janë 7 standarde siç është misioni publik dhe objektivat institucionale, menaxhimi i cilësisë, stafi akademik, përmbajtja e procesit arsimor, studentët, hulumtimi, infrastruktura dhe burimet.

“Këto standarde janë përcaktuar bashkërisht me AKA-në, IAL-të dhe ekspertët ndërkombëtar, përmes një procesi gjithëpërfshirës në hartimin e tyre. Mbi këtë bazë, KShC ka miratuar këto standarde në Korrik të vitit 2018.”, sqaron tutje KShC.

Ndërsa kanë treguar se vlerësimi i bazuar në këto standarde bëhet nga ekspertët ndërkombëtar, për të cilin IAL-të janë të informuara për çdo hap si dhe marrin pjesë në çdo fazë të vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtar.

Sa i përket vendimeve për këto raporte, KShC ka sqaruar tutje se ata marrin vendime mbi rekomandimet e ekspertëve.

“Ekspertët janë nga ENQA, miratuar nga KShC, ndërsa përzgjedhja e ekspertëve për vlerësim të IAL-ve dhe programe të studimeve, është përgjegjësi e drejtorit dhe stafit të AKA-së. Përzgjedhjen e ekspertëve për IAL-të dhe programet e ka bërë AKA.”

Ata tutje kanë sqaruar se KShC është votuar nga Parlamenti i Kosovës, në prill të vitit 2018, me 76 vota nga 120 sa janë gjithsej.

KALLXO.com dje (15 korrik) ka monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, pas rekomandimit të ekspertëve ndërkombëtarë.

Në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj deklaroi se është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike.

https://kallxo.com/universitetet-e-pejes-prizrenit-dhe-mitrovices-nuk-mund-te-regjistrojne-studente-te-rinj/

https://kallxo.com/pervec-tri-universiteteve-publike-kshc-ua-terheq-akreditimet-edhe-4-kolegjeve-private/

https://kallxo.com/pas-raportimit-te-kallxo-com-reagon-haradinaj-per-mosakreditimin-e-universiteteve-publike/