Kryetari i Kllokotit Deklarohet i Pafajshëm

Prokuroria Themelore në Gjilan akuzon Spasiqin për largim nga puna të Trajan Stojanoviqit dhe Bozhidar Dejanovit. Stojanoviq ishte drejtor në Shkollën Fillore “Marko Rajkoviq”, ndërsa Dejanov në Shkollën Ekonomiko-Teknike.

Në seancën e sotme i pranishëm ishte vetëm i dëmtuari Dejanov, ndërsa mungonte Stojanoviq, edhe pse kishte marrë ftesë të rregullt nga gjykata.

Prokurori Shaban Spahiu shpjegoi në gjykatë procesin e ngritjes së aktakuzës ndaj Spasiqit.

“Nga veprimet e zhvilluara hetimore në këtë çështje penale, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se tani i akuzuari Spasiq ka kryer këto vepra penale,” tha Spahiu në fjalën hyrëse.

Abdylaziz Sadiku, avokati i Spasiqit, aktakuzën e konsideroi të ngritur mbi paragjykime.

“Konsideroj se aktakuza mbështetet në supozime dhe vetëm në paragjykime dhe se në drejtim të veprave penale për të pandehurin Sreçko Spasiq nuk ka ofruar as dyshim të arsyeshëm, e lëre ma dyshim të bazuar se ky i ka kry këto vepra penale,” tha Sadiku.

Pas fjalëve hyrëse të prokurorit dhe avokatit, kryetari i trupit gjykues Afrim Shala e pyeti të akuzuarin Spasiq se si ndihej në lidhje me akuzat të cilat i ngarkohen.

Spasiq u deklarua i pafajshëm.

Në këtë aktakuzë Kryetari i Kllokotit përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ngarkohet edhe për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.

Sipas aktakuzës, Spasiq largoi nga puna Trajan Stojanoviqin e Bozhidar Dejanovin më 3 shkurt 2014, edhe pse ata kishin kontratë pune deri më 2 shkurt 2015.

Aktakuza e 25 dhjetorit 2015 akuzon kryetarin e Kllokotit Spasiq se me vetëdije nuk ka zbatuar vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës  për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Gjykatës Themelore në Gjilan-Dega në Viti, në të cilat vendime u kërkua kthimi në punë i dy drejtorëve.

http://kallxo.com/kryetari-me-tri-aktakuza/