Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Kryeministri Mustafa Ngushëllon Kancelaren Merkel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar kancelaren Angela Merkel dhe popullin gjerman pas sulmit terrorist në Berlin, ku, sipas komunikatës së Qeverisë mbetën të vdekur “dhjetëra njerëz të pafajshëm dhe shumë të tjerë u plagosën”.

Kryeministri Mustafa është shprehur i shokuar nga ky akt terrorist, duke theksuar dhimbjen dhe pikëllimin e qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Mustafa ia ka përcjellë ngushëllimet edhe ambasadores gjermane në Kosovë, Angelika Viets, gjatë një takimi të zhvilluar sot.

Mustafa, po ashtu, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në Cyrih të Zvicrës.

Atentati në Berlin është kryer mbrëmë. Një kamion i madh është futur me tërë hovin në një treg të Krishtlindjes.

Zyrtarisht thuhet se numri i të vdekurve është 12 e i të lënduarve 48.

Autoritetet gjermane e kanë ndaluar një person, i cili dyshohet të jetë autori i këtij akti terrorist.