Kryeministri Korr Grurë në Shtime

Kryeministri Isa Mustafa, për pak kohë ka bërë rolin e kombajnerit sot në fushat e Shtimes ndërsa u ka premtuar bujqve se qeveria do të jetë e përkushtuar në përkrahjen e prodhimtarisë së tyre.

“Ne do të jemi të përkushtuar si Qeveri që të përkrahim prodhimtarinë bujqësore, t’i japim prioritet më të madh sektorit të bujqësisë, që është sektor i cili neve na e mbulon tregun e brendshëm, i cili po jep rendimente mjaft të larta, mirëpo i cili do të ofrojë kushte të mira për punësim”, tha kryeministri Isa Mustafa.

I shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, kryeministri tha se fushata e korrje –shirjeve e grurit është edhe sukses i Ministrisë së Bujqësisë pasi sipas tij ata janë përkushtuar për ti përkrahur bujqit dhe njërëzit që merren me bujqësi.

“Është edhe sukses i Ministrisë së Bujqësisë në përkrahjen e bujqve tanë dhe njerëzve që janë të përkushtuar për ta zhvilluar bujqësinë”, tha kryeministri.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha se ky vit është një nga me të mirët sa i takon sipërfaqes së kultivuar me grurë.

“Përveç që kemi një sipërfaqe rekorde të kultivuar me grurë, që është një kulturë strategjike për ne, është jashtëzakonisht e rëndësishme të thuhet se këtë vit rendimentet janë shumë të mëdha se në vitin e kaluar, pritet që të jenë diku rreth 4.5 ton për hektarë”, tha Krasniqi.

Ministri po ashtu tha se duke krahasuar vitin e kaluar dhe të tashmin shihet një vend modern dhe se ka vullnet të madh në vazhdimin e zhvillimit të bujqësisë.

“Mbi 500 hektarë kanë qenë djerrina deri vitin e kaluar, ndërsa sot po shihni pemishte jashtëzakonisht moderne, po shihni një fushë të mbjella me grurë me mbi 40 hektarë që jep një rendiment të jashtëzakonshëm, dhe po shihni një entuziazëm dhe një vullnet të paparë për të vazhduar dhe për të zhvilluar bujqësinë, sepse me të vërtetë ka potencialin më të madh zhvillimor në kuptimin afatshkurtër dhe afatmesëm edhe për të gjeneruar vende të reja të punës, por edhe për të ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik”, tha ministri Krasniqi.

Ai po ashtu tha se për shkak të rritjes rekorde të numrit të fermerëve që po kultivojnë grurë këtë vit, kanë mbetur për disa ditë mbrapa për sa i përket pagesës së subvencioneve.

“Por dua t’i njoftoj fermerët që brenda dhjetë ditëve do të filloj pagesa e këtyre subvencioneve. Është pak, disa ditë më vonë se sa viteve të kaluara, por ajo që është e rëndësishme të thuhet është që edhe këtë vit kemi pasur rritje të buxhetit për bujqësinë, kemi pasur rritje të përgjithshme të buxhetit për subvencione dhe grante, dhe besoj se ky trend i rritjes do të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme”, tha ministri Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se rezultatet e mira që vinë nga kultivimi i grurit janë falë fermerëve dhe angazhimit të tyre.

“Ky rezultat dhe kjo punë po bëhet falë fermerëve dhe angazhimit të tyre, mirëpo ne nuk duhet ta lëmë anash edhe mbështetjen që po u jepet fermerëve nga niveli lokal dhe qendror”, tha kryetari Ismajli.

Hyzer Gashi, pronar i Kompanisë “Besimi Comerce”, tha se kjo kompani e ka hapur këtë kapitull për investime, duke shpresuar për një të ardhme të mirë.

“Jam shumë i bindur që me investime kthehet shpresa. Kjo tokë ku sot gjendemi për korrje-shirje dhe këto plantacione para një viti ishin shkurre. Ne kemi shpresë për të ardhmen dhe në këtë vend po projektojmë një hapësirë prej 30 hektarë që të ketë një numër të punësuarve, sipas disa standardeve rreth 80 ose 100 punëtorë të rinj do të gjejnë kafshatën e bukës në këto zona ku dielli është i yni, uji, toka është e jona, njerëzit janë tanët. Na duhet përkrahja financiare dhe menaxhimi i mirë i resurseve dhe pasurisë sonë që e kemi këtu”, tha Gashi.