Kryeministri bën homazhe te varri i vëllait

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në 21 vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj do të bëjë homazhe te kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit në Gllogjan”.

Luan Haradinaj, vëllai i kryeministrit Haradinaj, kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.

Më 6 maj 1997 Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.

Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave.

Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës.

Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan, ku prehet i qetë së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryente duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

Në 21 vjetorin e rënies së Luan Haradinajt për sot janë paraparë aktivitete sipas kësaj agjende:

Ora 11:00 Homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmoret e Kombit” në Gllogjan.

Kryeministri Haradinaj në këto homazhe do të shoqërohet nga kryeparlamentari Kadri Veseli si dhe personalitete të tjera.

Ora 11:30 Homazhe të shtatorja e Heroit Luan Haradinaj në Deçan.

Ora 11:00 Nis Turniri në futsall në nderim të Luan Haradinajt,  në palestrën e sporteve “Ereniku’’ në Junik, finalja në ora 18:00.

Ora 17:00- Akademi më Sallën e Kuqe në Prishtinë./21Media