Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj publikon deklaratën e vitit 1997 për varrosjen e vëllait, Luanit

Ish-komandanti i zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ka publikuar një letër-deklaratë të shkruar 24 vite më parë e ku kishte dhënë pëlqimin për varrosjen e vëllait të tij, Luan Haradinaj.

Luan Haradinaj ishte vrarë në kufirin Kosovë-Shqipëri më 6 maj të vitit 1997, siç e kishte përshkruar Ramush Haradinaj rreth orës 20:00.

“Pasi janë kryer të gjitha veprimet hetimore me kufomën e vëllait tim dhe dëshirën time të lirë do të varros trupin e vëllait tim Luan Haradinaj në varresat e fshatit Vlahne të rrethit të Hasit. Pasi nuk ka njeri më të afërt që të interesohet për varrimin e trupit të tij dhe nuk kemi dëshirë që të varroset në Kosovë pasi ne jemi larguar të detyruar nga regjimi i atjeshit”, thuhet mes tjerash në letrën e publikuar nga Haradinaj në Facebook.

Më poshtë gjeni të plotë letrën:

DEKLARATË

Unë I nënshkruari Ramush Hilmi Haradinaj I lindur më 03.07.1968 në Gllogjan të Deçanit. Pas ngjarjes së vrasjes së vëllait tim Luan Hilmi Haradinaj në kufirin ndërshtetëror të Republikës së Shqipërisë me Kosovën, vrasje e cila ka ndodhur në juglindje të fshatit Vlahne të rrethit të Hasit në vendin e quajtur Qafa e Mullarit më datë 6-5-97 rreth orës 20:00 deklaroj si më poshtë: Pasi janë kryer të gjitha veprimet hetimore me kufomën e vëllait tim dhe dëshirën time të lirë do të varros trupin e vëllait tim Luan Haradinaj në varresat e fshatit Vlahne të rrethit të Hasit. Pasi nuk ka njeri më të afërt që të interesohet për varrimin e trupit të tij dhe nuk kemi dëshirë që të varroset në Kosovë pasi ne jemi larguar të detyruar nga regjimi i atjeshit.

Përsa më sipëri mbaj përgjegjësi dhe deklaraohem me vullnetin tim të lirë

Krumë më7-05-97 Deklaruesi Ramush Haradinaj

Rënia e dëshmorit Luan Haradinaj

Beteja disa orëshe me forcat serbe më 6 maj 1997, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me vëllain Ramushin dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.

Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.Në këtë pritë u vra Luan Haradinaj, dhe u plagos Rafet Rama, e poashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj u lind më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryejë duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.