Kroacisë i Kërkohet të Mos Pengojë Rrugën e Serbisë Drejt BE-së

Komisioni Evropian ka nxjerrë një dokument jozyrtar ku i bën thirrje Zagrebit të mos pengojë negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE për shkak të kundërshtimit që Kroacia ka në lidhje me një ligj serb për krimet e luftës.

Komisioni Evropian i ka dërguar një dokument jozyrtar qeverisë kroate duke thënë se Zagrebi duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet e tij me Beogradin mbi legjislacionin për krimet e luftës nëpërmjet bisedimeve dypalëshe në vend sesa të bllokojë negociatat serbe.

Komisioni nuk pranoi të komentojë më tej në lidhje me dokumentin, por tha se shpresonte se çështjet do të zgjidheshin në mënyrë që të mund të fillojnë negociatat mbi dy kapitujt e legjislacionit të BE-së që Serbia duhet të miratonte.

“Komisioni po pret hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, si edhe hapjen e Kapitullit 23 (Të Drejtat Gjyqësore dhe Themelore) dhe atë 24 (Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë),” tha Komisioni në një deklaratë me shkrim për BIRN.

“Diskutimi, me mbështetjen tonë, është aktualisht në progres dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë me hapat e radhës sapo të arrihet unanimiteti midis shteteve anëtare,” shtoi ai.

Javën e kaluar Kroacia refuzoi të japë mbështetjen e saj për Serbinë që kjo e fundit të hapë bisedimet mbi kapitujt e 23 dhe 24 të BE-së.

Zagrebi dëshiron që Beogradi të ndryshojë një ligj i cili u jep gjykatave serbe juridiksionin për të ndjekur penalisht krimet e luftës të kryera kudo në ish-Jugosllavi gjatë luftërave të viteve 1990, për të cilin druan se mund të përdoret për të shënjestruar kroatët. Ai dëshiron gjithashtu që Serbia të përmirësojë trajtimin e saj ndaj pakicës kroate në vend.

E përditshmja kroate “Jutarnji List” të enjten publikoi një kopje të dokumentit “jo-letër” të Komisionit Evropian, në të cilën Brukseli refuzoi pretendimet e Zagrebit, sipas të cilave ligji i Serbisë paraqet ndërhyrje në sistemet ligjore të Kroacisë dhe Sllovenisë.

Sipas ligjit serb, Beogradi mund të gjykojë cilindo të akuzuar për krime lufte të kryera në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, pavarësisht nga kombësia e autorit të dyshuar të krimit apo viktimës.

Por në dokumentin “jo-letër”, Komisioni Evropian argumenton se ligji “nuk përbën shkelje të sovranitetit të shteteve në fjalë (Kroacia dhe Sllovenia)” dhe se nuk ka “asnjë ndërhyrje në punët e brendshme të çdo shteti”.

Ai shprehet gjithashtu se edhe nëse ligji do të ndryshohej, Serbia do të ishte ende në gjendje të gjykonte çështje të tilla.

“Nëse pjesa operative e nenit 3 të ligjit të Serbisë do të fshihej, autoritetet serbe do të mundeshin ende të ndiqnin penalisht në mënyrë të vlefshme dhe të gjykonin këto krime nën juridiksionin universal,” tha dokumenti i Komisionit Evropian.

Ai gjithashtu tha se Kroacia duhet të zgjidhë problemet e saj me Serbinë në takime bilaterale dhe jo nëpërmjet negociatave.

Por ministri i Jashtëm i Kroacisë, Miro Kovaç, këmbënguli se Zagrebi kishte shqetësime legjitime në lidhje me ligjin serb.

“”Nëse Serbia dëshiron të hyjë në BE, ajo do të duhet t’i përshtatë standardet e saj me ato të BE-së. Serbia nuk mund të jetë edhe gjyqtare edhe police për krime lufte në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë,” tha të enjten Kovaç.

Pengesat për negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE kanë zemëruar lidershipin në Beograd.

“Nuk do ta tolerojmë shantazhin dhe nuk do të lutemi apo përgjërohemi,” tha Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq të premten e kaluar.

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq megjithatë ka këmbëngulur se Zagrebi “nuk po i pengon rrugën e anëtarësimit Serbisë”.

“Serbia duhet thjesht të përmbushë kërkesat tona, të cilat janë plotësisht në përputhje me standardet themelore të BE-së,” tha të hënën Grabar-Kitaroviq.

Franca ka një ligj të ngjashëm për ndjekjen penale të krimeve të luftës që janë kryer në vende specifike në një periudhë kohore të caktuar.

Ai lejon ndjekjen penale të krimeve të kryera në ish-Jugosllavi në vitet 1990 dhe gjatë gjenocidit në Ruanda në vitin 1994, për sa kohë ata nuk janë ndjekur penalisht më parë në gjykatat ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën në Hagë.