Kroacia Zhvarros 56 të Vrarë në Operacionin “Stuhia”

Autoritetet kanë zhvarrosur 56 trupa serbësh që vdiqën gjatë Operacionit “Stuhia” të Ushtrisë Kroate në gusht të vitit 1995 nga një varr masiv në komunën Gornje Seliste.

Zyra Kroate për Njerëzit e Ndaluar dhe Personat e Zhdukur tha të martën se zhvarrosja e varrit masiv në Gornje Seliste në Kroacinë Qendrore përfundoi të martën dhe janë gjetur eshtrat e 56 viktimave.

Ajo tha se varri, i cili është hapur menjëherë pas Operacionit “Stuhia” në gusht 1995, përmbante trupat e civilëve dhe ushtarëve serbë që vdiqën gjatë ofensivës ushtarake që mposhti rebelët serbë të Kroacisë.

Ekspertët mjeko-ligjorë tani do të zhvillojnë një proces identifikimi, duke u përpjekur të përputhin kampionët e ADN-së me të afërmit e viktimave.

Nëse kampionët përputhen, anëtarët e familjeve do të ftohen për një identifikim në Zagreb dhe më pas trupat do t’u jepen të afërmve të viktimave.

Përfaqësues të Komisionit Serb për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur me bazë në Bosnjë ishin të pranishëm gjatë zhvarrimit, duke qenë se besohet se disa nga familjet e të rënëve jetojnë në Serbi dhe Bosnjë.

Gjatë Operacionit “Stuhia” në vitin 1995, forcat kroate rimorën kontrollin mbi 18 për qind të territorit të republikës që mbahej nga rebelët serbë në Kroaci që nga viti 1991.

Pas operacionit, 600 civilë kryesisht të moshuar serbë u vranë dhe më shumë se 200,000 serbë u larguan nga vendi.

Menjëherë pas operacionit, forcat kroate hapën varre masive për të varrosur viktimat, gjatë asaj që iu referua si “spastrimi i terrenit”.

Deri më tani, autoritetet kanë zhvarrosur 1,081 njerëz që vdiqën gjatë operacioneve ushtarake “Stuhia” dhe “Flash” në vitin 1995, pothuajse të gjithë prej tyre serbë. Nga këta, janë identifikuar 681.

Në total, autoritetet kanë zhvarrosur rreth 5,056 viktima lufte, si kroatë ashtu edhe serbë, të cilët vdiqën gjatë gjithë kohëzgjatjes së luftës, vitet 1991-1995. Nga këta, 4,090 janë identifikuar.

Kroacia ka ende 1,591 persona të zhdukur nga lufta, si kroatë ashtu edhe serbë.