Krimet e Rënda sekuestrojnë pronat e ish-deputetit Arben Ndoka

Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi të enjten disa prona të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, që sipas saj kapnin vlerën e 40 milionë eurove. Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme, rreth 300 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Lezhës dhe disa apartamente u sekuestruan në kuadër të procedimit me nr.339/2016.

“Sipërfaqet ndodhen konkretisht në vendet e njohura si Mali i Rrenzit në Shëngjin, Rana e Hedhun dhe Laguna e Lezhës,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Urdhrat e sekuestros u firmosën nga gjyqtari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Bib Ndreca.

Arben Ndoka, ish-deputet i Partisë Socialiste për zonën e Lezhës u arrestua më 21 tetor 2018, në të njëjtën kohë me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko, pas kapjes së tyre në përgjimet e kryera ndaj grupit të Avdulajve me bazë në Shijak. Ai u la më pas në arrest shtëpie nga Gjykata e Apelit.

Ndoka akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash”. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se grupi kriminal ka abuzuar me trojet shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit.

Ndoka u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga listat e Partisë Socialiste në Qarkun Lezhë në vitin 2014 pas dorëheqjes së dy deputeteve socialiste njëra pas tjetrës në periudhën nga krijimi i Kuvendit të ri në shtator 2013 deri në janar 2014. Gjatë viteve 2014 e 2015, Ndoka u sulmua nga opozita për të shkuarën e tij kriminale. Ai ishte dënuar në Itali për trafik qenies njerëzore dhe pati përfituar nga gjykatat shqiptare, të cilat bënë të mundur lirimin e tij brenda tri vitesh nga shtatë që ishte dënimi fillestar.

Ndoka dha dorëheqjen në shtator 2015 dhe deklaroi se ishte viktimë e rrethanave dhe i pafajshëm për akuzën për trafik qeniesh njerëzore. (reporter.al)