Trafiku i kokainës, Gjykata e Fierit sekuestron mbi 12 milionë euro pasuri të Arjan Shanajt

Aksionet e Arjan Shanaj dhe bashkëshortes së tij në disa kompani të  ndërtimit dhe gazit dhe një sërë pasurish të paluajtshme janë bllokuar nga policia pas vendimit të gjykatës. Shanaj është arrestuar në Greqi për trafik të kokainës.

Policia e Fierit njoftoi të hënën zbatimin e vendimit të Gjykatës së Fierit të 20 tetorit për të sekuestruar pasuritë e Arjan Shanaj dhe bashkëshortes. Operacioni i koduar nga policia si “Furtuna”ka sjellë sekuestrimin e një sërë pasurive të identifikuara pas një hetimi gati 2 vjeçar.

Në njoftim thuhet se ishin sekuestruar aksionet në3 shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë dhe Korçë,  1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur, 2 vila trekatëshe; 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2; 3 apartamente banimi; 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë dhe Durrës, 8 793 m2 tokë, 20 mijë euro në llogari bankare dhe një makinë me vlerë 40 mijë euro.

Sekuestro u vendos nga Gjykata e Fierit me kërkesë të prokurores Englantina Shehu. Në vendimin  citohen një sërë trasaksionesh të hetuara dhe të dyshuara si fiktive, përfshi shitblerje pasurish me vlera disa qindra mijëra euro. Prokuroria pretendon se ka dokumentuar veprime bankare të Shanajt prej vitit 2008, një pjesë e të cilave dyshohen si fiktive. Në kërkesën për sekuestro përfshihen po ashtu emrat e disa prej biznesmenëve dhe ish biznesmenëve në fushën e naftës dhe gazit në vend.

Prokuroria e akuzon Shanajn, i cili u arrestua në Greqi në vitin 2017 me 20 kilogramë kokainë, për pastrim të produkteve të veprave penale. Policia thotë se Shanaj merrej me “importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine”.

Ai po ashtu sipas policisë ka një sërë precedentësh penal në Shqipëri, përfshi kanaosje dhe armëmbajtje pa leje.

“Si rezultat i koordinimit, bashkërendimit dhe bashkëveprimit mes strukturave hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Agjencisë së Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, koordinuar nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 20.10.2019, vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme të shtetasit A. Sh dhe personave të tjerë familjarë  të tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se e kishte Shanajn në ndjekje prej vitesh. “Theksojmë se aktiviteti kriminal i ushtruar nga ky shtetas në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri gjurmohej nga Policia prej vitesh”, thuhet në njoftim. (reporter.al)