Shirit i Policisë - Foto: REL
Sekuestrohet pasuri në vlerë rreth 1.5 milion euro
Policia e Vlorës ka sekuestruar disa pasuri me vlerë rreth 1.5 milion euro, që dyshohen se janë ngritur me pastrim parash
Aksioni i ndërmarrë nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, kishte për objektiv zbatimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për vendosjen e sekuestrimit preventiv mbi disa objekte.
Fjala është për 5 apartamente banimi, 1 vilë trekatëshe, 1 mjet lundrimi, anije peshkimi dhe 4 automjete.
Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal pro-aktiv të vitit 2018, ndaj shtetasit M.M. si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale – pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 1.503.000 euro.
Vijojnë veprimet e tjera proceduriale, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, njofton Policia e Shtetit.